Emigrantët, qindra të mbytur në Mesdhe

15/09/2014 00:00

Qindra emigrantë janë mbytur teksa përpiqeshin të arrinin brigjet e Evropës, pasi varka me të cilën po udhëtonin u mbyt në brigjet e Libisë.

Zëdhënësi i marinës lokale deklaroi se 36 persona janë shpëtuar pasi mjeti lundrues, që mbante rreth 250 vetë, u fundos në afërsi të lokalitetit Tajoura, në lindje të Tripolit.

“Ka shumë trupa të vdekur që lundrojnë në det”, ka thënë zëdhënësi për mediat e interesuara.

Mediat ndërkombëtare flasin edhe për një tjetër mjet të mbytur, në të cilin udhëtonin 500 persona, të cilët dyshohet të kenë humbur jetën. Ngjarja në fjalë ka ndodhur javën e kaluar në brigjet e Maltës.

Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin citoi dy të mbijetuar palestinezë që thanë se varka u mbyt qëllimisht nga trafikantët pas një kryengritjeje në bord. Autoritetet malteze nuk e kanë komentuar ende lajmin.

Këtë vit ka pasur një rritje të numrit të emigrantëve që lënë Libinë, me trafikantët e qënieve njerëzore që po përfitojnë nga kaosi politik.

Edhe milicitë rivale janë në luftë për kontrollin e vendit, ndërsa marina dhe roja bregdetare kanë pak burime në ndihmë të tyre dhe shpesh u duhet të marrin hua varkat nga peshkatarët apo agjencitë e tjera.

Raportohet se shumica e emigrantëve që janë mbytur ishin afrikanë dhe shumë prej tyre ishin gra, me të cilave një grua shtatëzënë që për fat të mirë ka mbijetuar.

Top Channel