Ekzekutimi i pengut britanik

15/09/2014 00:00

Xhelati i gjatë me fytyrë të maskuar e theks londinez vrau përsëri. Dy viktimat e para ishin amerikanë, i treti një bashkëkombas, punonjësi social britanik David Haines.

Sipas disa zyrtarëve, kryeministri David Cameron e njeh identitetin e ekzekutuesit. Ashtu siç njeh faktin, që ky njeri ka marrë jetët e dy qytetarëve të aleatit më të ngushtë të Londrës, e ka në dorë të paktën edhe dy jetë të tjera.

Kjo është një krizë reale për Cameronin, sepse nxjerr edhe më shumë në pah një të vërtetë të zymtë: niveli i vullnetarizmit të britanikëve për të luftuar në Siri, në raport me popullatën, është 25 herë më i lartë se sa ai i shtetasve amerikanë.

500 janë britanikët e rreshtuar përkrah rebelëve në këtë vend, 100 amerikanët, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka një të pestën e popullsisë së SHBA-ve.

Videoja e ekzekutimit të fundit ishte një mesazh për aleatët e Uashingtonit, për atë që militantët e quajnë një partneritet të lig me Amerikën, e cila vazhdon të godasë muslimanët në Irak, e madje i drejtohet dhe popullit britanik me një paralajmërim për liderin e tij.

Cameron, thuhet aty, do t’iu tërheqë në një tjetër luftë të përgjakshme, që s’mund të fitohet. Por, a mund të shpjegohet kjo egërsi e skajshme e ISIS-it? Shteti Islamik është kthyer sot në sinonim të barbarizmit, prerjes së kokave, kryqëzimeve, vrasjeve me gurë, varrosjes për së gjalli dhe spastrimit etnik.

Edhe pse një ligësi e tillë mund t’i duket e palogjikshme botës së civilizuar, për ISIS-in ajo është një zgjedhje racionale; një veprim i ndërgjegjshëm që synon të terrorizojë kundërshtarin e të ndikojë mendjet e rekrutëve të rinj.

Kjo makineri vdekjeje, e vënë në punë me çelik e me gjak, shkon përtej doktrinës së Osama bin Ladenit, se është natyra e njeriut të tërhiqet nga më i forti, dhe kërkon t’i tregojë përmes terrorit, si armiqve ashtu edhe miqve, se është gjithmonë fitues.

Logjika e tij, në këtë këndvështrim, është e thjeshtë: po na zutë rrugën do t’iu shtypim; po u bashkuat me ne do të shkruani historinë.

Top Channel