“Dy italianet e rrëmbyera, jo në duart e ISIS”

15/09/2014 00:00

Fati i dy italianeve të rrëmbyera në Siri 31 gushtin e vitit të kaluar mbetet ende mister, por ajo lajmi që lehtëson disi familjarët e dy të rejave bën fjalë për përjashtimin e mundësisë që Vanessa Marzullo dhe Greta Ramelli të jenë rrëmbyer nga ISIS.

Kështu të paktën deklaroi për mediat ndërkombëtare në kushte anonimati një drejtues i lartë i Ushtrisë Siria e Lirë, grupi i kryengritësve anti-Assad që luftojnë për vendosjen e demokracisë dhe ngritjen e një shteti laik.

“Dy vajzat janë mirë. Për momentin ka një ngërç në bisedimet për lirimin e tyre, por shpresojmë që ta kalojmë me sukses”, thotë zyrtari i Ushtrisë Siria e Lirë.

Sipas të njëjtit burim dy vajzat italiane janë rrëmbyer vitin e kaluar në rrethinat e Aleppo-s në kulmin e ofensivës së forcave ushtarake të regjimit të Assad-it në këtë qytet nga një grup i armatosur që nuk ka lidhje as me ISIS dhe as me pjesën tjetër të kryengritësve.

Besohet se pengmarrësit kërkojnë një pagesë të majme për lirimin e dy vajzave, ndërkohë që me përhapjen e lajmit është rritur edhe frika se dy vajzat do t’u ofrohen “ofertuesit” më të mirë, që në këtë rast mund të ishte edhe ISIS.

Ekstremistët islamikë ekzekutuan javën e kaluar një shtetas britanik të rrëmbyer po në Siri. Ky ekzekutim ishte i treti i kryer nga xhihadistët, pasi më herët janë ekzekutuar edhe dy gazetarë amerikanë.

Top Channel