
Britania e Madhe zotohet të luajë një rol udhëheqës në luftën kundër ekstremistëve të ISIS në Irak dhe Siri.
Kështu deklaroi në takimin dy-ditor të kryediplomatëve të vendeve që formojnë aleancën kundër ISIS në Paris Ministri i Jashtëm britanik, Philip Hammond. Ministri britanik shtoi se Londra e ka të pamundur dërgimin e forcave speciale për të liruar pengjet në Irak pasi mungon informacioni mbi vendndodhjen e tyre.
Në deklaratën e përbashkët të bërë publike në fund të takimit thuhet se 30 vendet që përbëjnë aleancën kundër ISIS zotohen të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme, përfshirë këtu edhe ndihmën ushtare për qeverinë irakiane në betejën e saj kundër ekstremistëve.
I pranishëm në takim si kreu i vendit pritës, Presidenti francez, Francois Hollande tha se ISIS nuk është më një kërcënim vetëm për Lindjen e Mesme, por për të gjithë botën.
“Çdo vend është i përfshirë në këtë betejë dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për të ndalur indoktrinimin e të rinjëve tanë, për të shkatërruar rrjetet xhihadiste dhe për të goditur financuesit e tyre”, deklaroi Hollande.
Franca, nga sa pohoi vetë Ministri i Mbrojtjes Jean-Yves Le Drian, iu bashkua mëngjesin e së hënës fluturimeve të zbulimit në Irak në shënjestrën e të cilave janë pozicionet e ISIS-it. Londra e pat njoftuar që në gusht angazhimin e avionëve të saj në mbledhjen e informacioneve të inteligjencs. Nga ana tjetër, sipas pohimeve të zyrtarëve amerikanë, mësymjes ajrore në veriun e Irakut i janë ofruar t’i bashkohen edhe 7 vende arabe.
Premtimet e një ndihme të bollshme ushtarake kundër grupit militant e kanë bërë shefin e diplomacisë amerikane, Kerry, të ndihet jashtëzakonisht i inkurajuar për mbarëvajtjen e plan-veprimit të bërë publik javën që shkoi nga Presidenti Barak Obama. Në fakt, Kerry që tani i përshkruan si “sukses” përpjekjet për ngritjen e koalicionit shumëkombësh, duke përmendur këtu dhe mbështetjen e pakursyer që arriti t’u marrë qeverive sunite në rajon.
Megjithatë pak detaje ka mbi kontributin e 40 vendeve mbështetëse të idesë. Strategjia amerikane për dobësimin e grupit përqendrohet tek mbështetje ushtarake për Irakun dhe përfshin ndër të tjera dhe planet për frenimin e shtimit të radhëve të tij me luftëtarë të huaj, si dhe bllokimin e fondeve që e ndihmojnë të fuqizohet.
Top Channel