Skënder Minxhozi – Papa Françesku do të zbresë në sheshin e rinovuar “Nënë Tereza” më 21 shtator, në një meshë të shenjtë, e cila pritet të jetë momenti kulmor i së parës vizitë që Ati i Shenjtë bën në Europë dhe Ballkan. Mjafton kjo simbolikë, për të kuptuar peshën dhe rëndësinë e këtij udhëtimi papnor në tokën shqiptare.
Sapo lajmi për vizitën e Papës u bë publik, diku në të hyrë të pranverës, qeverinë qendrore dhe atë vendore të Tiranës i kapi natyrshëm ankthi i përgatitjeve për këtë eveniment unik dhe me rëndësi për një vend ku harmonia fetare është mënyrë e konsoliduar jetese. Nisi rregullimi i kompleksit rreth sheshit “Nënë Tereza”, duke hequr shatërvanin, duke shembur ndërtimet pa leje e duke pastruar shkallaret e kolonatat e ndërtesave rreth e rrotull.
Ndërkaq, pjesa tjetër e qytetit, aty ku Papa nuk do të shkelë, mbeti ashtu siç ishte. Nuk ka nevojë të jesh banor i hershëm i këtij qyteti, as që të duhet të kesh lindur aty apo të njohësh të djeshmen e të sotmen e Tiranës. Mjafton një xhiro dyorëshe nëpër rrugët (e sidomos rrugicat) e tij. Do të shihni sesi asfalti dhe vijëzimet që dikur depërtonin thuajse në të gjitha arteriet e mëdha dhe të vogla, sot po zbythen përballë plasaritjeve, gropave dhe baltës që po fillon të rishfaqet në shumë rrugë e rrugica. Mund të vijoni më pas me një shëtitje në këmbë vetëm pak metra larg qendrës, ku Heroi Kombëtar vijon të qëndrojë i fshehur pas një kodrine me bar. Do të shihni se krejt afër sheshit “Skënderbej” mbizotëron degradimi, kaosi dhe pisllëku. Tregu çam, i futur nguc mes pallatesh të kohës së komunizmit, i ngarkuar me tezga që shesin ç’të të shkojë nëpër mend dhe plot letra e ambalazhe nëpër rrugicat e ngushta, është vetëm njëri ndër cepat që të kujton se Tirana është një qytet ku ndryshimi ndodh me shpejtësi të ndryshme, në zona të ndryshme.
Më pas, mjafton t’u hedhësh një sy edhe dy godinave më përfaqësuese të dy epokave të fundit historike, fashizmit dhe komunizmit: Hotel “Dajtit”, dikur shkëlqimi e luksi i kryeqytetit, të cilit i kanë vjedhur në mënyrë barbare gjithçka kishte brenda, madje edhe pllakat majolike, si dhe Piramidës, e cila ka pasur të njëjtin fat, duke e rrjepur nga pllakat e mermerit e gjithçka tjetër me vlerë. Këto dy ndërtesa, ashtu siç i shohim sot, të rrënuara, të ndyta dhe në prag të shembjes, janë fytyra e një kryeqyteti që nuk arrin ta fshehë shëmtinë që qëndron pas luksit të bareve, minifundeve dhe makinave të shtrenjta. Nëse doni të shihni Tiranën e vërtetë shkoni e shihni lagjet e periferisë, aty ku asfalti e ndriçimi hyjnë vetëm në kohë fushatash, e ku sot papunësia e degradimi urban e kanë kthyer këtë pjesë të qytetit, në një gjysmëgeto për të varfrit.
Është e kuptueshme se kjo Tiranë, me listën e gjatë të halleve e problemeve të pazgjidhura, është rezultati i shumë qeverisjeve, majtas dhe djathtas. Por e ke të vështirë të kuptosh, teksa e sheh qytetin nga këmbët e Dajtit, sesi në një hapësirë kaq të ngushtuar nga dendësia barbare e ndërtimeve, vazhdohet të jepen pa pushim leje ndërtimi. Përtej fletërrufeve që palët i vendosin njëra-tjetrit, kur denoncojnë pallate pa leje këtej e andej, para kamerave memece, Tirana sot vuan vijimin e procesit të gjymtimit urbanistik. Plani rregullues i vjetshëm, që nxiti një det me debate, sot po jep “frytet” e tij. Hapësira në këmbët e digës së Liqenit ka nisur të kthehet në shesh ndërtimi. Të njëjtin fat po e pëson edhe blloku i vilave pas Piramidës. Ndërkohë që bashkia nxjerr justifikime bajate të tipit “është pronë private, kanë të drejtë ta zhvillojnë pronarët”, kurse qeveria, që deri dje në opozitë demaskonte këtë katrahurë, thjesht qëndron e sheh, ose lëshon paralajmërime që nuk trembin askënd. Siç bëri me rastin e Digës, ku mesa duket ka një marrëveshje të heshtur të të gjithë krahëve, për ta mbushur edhe atë truall me ndërtime shumëkatëshe.
Tirana përjeton sot një paralizë, e cila më së pari lidhet me fundin pa lavdi të mandatit qeverisës të Lulzim Bashës. Një bashkiak i dobët, pa ide dhe i dyzuar nga mëngjesi në darkë, mes kreut të partisë dhe kreut të bashkisë. Njeriu që na tha se do ta nxjerrë politikën nga bashkia, që premtoi tramin dhe vendet e punës, apo që u betua se s’do të lejojë ndërtime rreth Liqenit, sot po bën të vetmen gjë që mund të bëjnë ata që e dinë se janë në ikje e sipër: po hap saraçineskën e lejeve të ndërtimit! Një fund dëshpërues, për një person që sot mban etiketën e lartë “kryetar i opozitës”.
Në këtë pragvizite të Papës, kur një kënd i qytetit po lustrohet e kruhet cep më cep, për të nxjerrë shkëlqimin e dikurshëm, pjesa tjetër, ajo më e madhja dhe që nuk do të shkelet nga këmba e Atit të Shenjtë, do të vijojë të mbetet siç ishte. Me rrugë përherë e më të degraduara, me gropat, baltën, kazanët e plehrave të mbushur dhe errësirën. Nuk është e mundur të rregullojmë një qytet, për hir të një vizite. Qoftë kjo edhe vizita e Papa Françeskut. Një qytet, sidomos kur mban statusin e kryeqytetit, duhet kujdesur e rregulluar përditë. Jo vetëm në një hapësirë të vogël të tij dhe në një datë të caktuar të vitit.
Top Channel