Skoci, java e fundit e fushatës për Pavarësi

13/09/2014 00:00

Grindja mbi ndërhyrjen e liderëve të biznesit dhe bankave në debatin e Pavarësisë së Skocisë është intensifikuar së tepërmi në javën e fundit të fushatës.

Kryeministri skocez, Alex Salmond, tha se skocezët nuk duhen të tremben prej kompanive të naftës, supermarketeve apo Londrës.

Ky reagim vjen pasi shefi ekonomist i “Deutsche Bank”, David Folkerts-Landau, tha se votuesit dhe politikanët kanë dështuar të kuptojnë pasojat negative të Pavarësisë.

Ndërkohë, një sondazh i “Guardian/ICM|” ka bërë të ditur se deri më tani 51% e skocezëve janë kundër Pavarësisë, ndërsa 49% janë pro. Një sondazh i realizuar pas atij të “YouGov”, të enjten, i cili bënte të ditur rezultate me 1 pikë përqindje më të lartë në favor të votës “kundër”, por të pavendosurit ishin përjashtuar nga ky rezultat.

Liderët e fushatës “pro” Pavarësisë së Skocisë pretendojnë se përgjatë fundjavës, do të jenë më shumë se 35 mijë vullnetarë nëpër 473 vendgrumbullime në rrugë, në përpjekje për të nxitur popullin të votojë për një shtet të pavarur.

Ata thonë se 2,6 milionë fletëpalosje me mbishkrimin “po” do të shpërndahen përgjatë 48 orëve të ardhshme.

Top Channel