SHBA “debate” në lidhje me termin “luftë”

13/09/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, nuk pritet të përdorë termin “luftë” për të përshkruar impenjimin ushtarak të Uashingtonit kundër grupit xhihadist të ISIS-it, në Siri dhe Irak, por të tjerë zyrtarë të administratën Obama nuk i druhen përdorimit të kësaj fjale.

Mbrëmjen e së mërkurës, ndalësi i luftrave, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Presidenti Obama shfrytëzoi një adresim kombëtar televiziv për të shpallur planin për “të shpërbërë deri në shkatërrim” xhihadistët sunitë, të cilët kanë tronditur Amerikën me ekzekutimin e dy gazetarëve amerikanë me prerje koke.

“Do t’i ndalim terroristët, të cilët kërcënojnë shtetin tonë, kudo ku ata janë – tha ai. – Kjo nënkupton se nuk do të hezitoj të ndërmarr veprime kundër Shtetit Islamik as në Siri, ashtu si dhe në Irak”.

Administrata, në fakt, preferon më tepër termin ISIL (Shteti Islamik në Irak dhe Levant), ndërsa të tjerë përdorin termin ISIS prej kohësh, të cilin e kanë shkurtuar së fundi edhe në IS, por kjo është histori pa rëndësi.

Fara e pasigurisë, se çfarë duhet të quhet fushata kundër ekstremistëve të ISIS-ISIL, u mboll nga Kerry të enjten, i cili tha për CNN, në një intervistë, se Shtetet e Bashkuara nuk ishin në luftë me ISIS, duke shtuar se strategjia e administratës përfshin “shumë gjëra të ndryshme, të cilat nuk mund të mendohen normalisht në kontekstin e një lufte”.

“Ajo që po bëjmë është përfshirja në një operacion tepër sinjifikativ antiterrorizmi”, tha Kerry për CNN, për korrespondentin në Arabinë Saudite. “Do të vijojë për një kohë të gjatë. Nëse dikush mund të mendojë se do të jetë një luftë me ISIL, mund ta bëjë, por fakti është se ky mund të konsiderohet një operacion madhor antiterrorizmi, i cili do të ketë pjesë të ndryshme lëvizëse”.

Të enjten, zv/zëdhënësja e DASH, Marie Harf, doli për të sqaruar termin mbi fushatën anti-Shtet Islamik.

“E di që ka shumë pyetje në lidhje me fjalët që ne përdorim, por siç tha dhe Presidenti natën e kaluar, kjo është një fushatë shumë e ndryshme nga lufta në Irak, që shënoi edhe herën e fundit që ne kemi përdorur këtë term”, tha ajo. “Kjo fushatë nuk do të përfshijë trupa luftarake amerikane në terren të huaj. Ne do të përdorim superioritetin ajror dhe mbështetjen ndaj forcave partnere në terren”.

Me pak fjalë, ajo e quan këtë veprim si “një fushatë antiterrorizmi të qëndrueshme dhe të pamëshirshme për të luftuar ISIL kudo ku ata ekzistojnë”. “Gjithashtu kjo nuk është lufta e Amerikës me ISIL, por bota po na bashkohet për në luftime, sepse kërcënimi i tyre ndaj vendeve në rajon është shumë i madh. Ndaj, ne jemi në luftë me ISIL, ashtu sikurse jemi në luftë me al-Qaedan dhe rrjetet e lidhura me të anembanë botës”.

Top Channel