Papa: Mjaft me biznesin e luftës

13/09/2014 00:00

Papa Francesku ka bërë këtë të shtunë, gjatë një vizite në një nga lokalitet verior të Italisë, thirrjen më të fuqishme kundër luftërave.

“Lufta është një cmenduri. Lufta shkatërron edhe atë që është krijesa më e bukur e Zotit: qënia njerëzore. Lufta shkatërron gjithcka, edhe lidhjen vllazërore. Lufta është një marrëzi, plani i saj i zhvillimit është shkatërrimi: të duash të zhvillohesh përmes shkatërrimit”, ka thënë Papa.

Në meshën e mbajtur në lokalitetin Redipulia, ati i shenjtë ka drejtuar gishtin ndaj atyre që i quan “planifikues të terrorit, organizatorë të konflikteve, si dhe biznesmenët e armatimeve”, që sipas tij kanë të shkruar në zemër: “c’më duhet mua?”.

“Sot regjistrohen shumë viktima. Si është e mundur kjo? Është e mundur sepse edhe sot, prapa skenave ekzistojnë interesa, plane gjeopolitike, etje për para dhe pushtet dhe industria e armëve, që duket se është kaq e rëndësishme”, ka thënë Papa.

“Duke thënë ‘c’më duhet mua?’, biznesmenët e luftës ndoshta fitojnë shumë para, por zemra e tyre e korruptuar ka humbur aftësinë e të qarit”, ka shtuar ati i shenjtë.

Duke folur në pozitën e djalit, vëllait dhe babait, Papa u ka kërkuar të gjithëve që të konvertojnë zemrën e tyre, nga shpërfillja për jetën e njeriut tek loti.

“Për të gjithë të rënët në masakra të kota, për të gjitha viktimat e cmendurisë së luftës, në cdo kohë. Njerëzimi ka nevojë të qajë dhe kjo është ora e lotit”, është shprehur ati i shenjtë.

Top Channel