
Me afrimin e votës së 18 Shtatorit, mbi skocezët shtohen si ofertat, ashtu edhe presionet.
I angazhuar maksimalisht ta mbajë Skocinë brenda Mbretërisë së Bashkuar, kryeministri britanik David Cameron premtoi pushtet më të madh rajonal dhe përfitime të tjera.
Por, sipas të përditshmes “Daily Mail”, ka një kërcënim që rëndon mbi ta, nëse votojnë kampin pro-shkëputjes.
Një votë në favor të Pavarësisë, – thotë gazeta, – do t’i rrisë faturat e telefonit për miliona skocezë. Në fakt, ka gjithmonë e më shumë zëra se, pas mëvetësisë, kostoja e jetesës për familjet në Skoci do të shtohet ndjeshëm.
Rrjete të mëdha dyqanesh, si Asda dhe Next, kanë paralajmëruar ngritje të çmimeve për produktet bazë si buka, qumështi dhe veshjet e fëmijëve.
Të dhënat zyrtare, të publikuara të premten, tregojnë se frika e ndarjes ka çuar në largimin e 17 miliardë paundë nga Mbretëria e Bashkuar, muajin që shkoi. Kjo është shuma më e madhe e parave, e nxjerrë ndonjëherë nga Britania brenda një muaji të vetëm, që prej falimentimit të “Lehman Brothers” në 2008-n.
Gjiganti bankar zviceran “UBS”, nga ana tjetër, paralajmëroi se ekonomia skoceze do të tkurret deri në 5%, nëse voton pro shkëputjes. Përveç pagesave telefonike, në Skoci do të rritet, sipas parashikimeve, edhe çmimi i tokës dhe ai i internetit.
Pas një epërsie të lehtë të kampin pro, të raportuar ditë më parë, kundërshtarët e mëvetësisë, sipas sondazheve më të fundit të opinionit, kanë marrë sërish revanshin. Anketimi i YouGo, i publikuar mbrëmjen e së enjtes, tregon se kampi “jo” është në avantazh me 52% të votave, kundrejt 48 përqindëshit të përkrahësve të shkëputjes nga Londra.
Top Channel