Armëpushimi Rusi-Ukrainë/ Putini pranon ftesën e Parisit: Gati për dialog me Macronin Në një sulm të drejtpërdrejtë verbal ndaj Moskës, kryeministri ukrainas e akuzoi se po përpiqet ta eliminojë vendin e tij e të rikthejë Bashkimin e dikurshëm Sovjetik.
Pavarësisht përpjekjeve të diplomacisë, Ukraina – tha shefi i ekzekutivit, – vazhdon të jetë në gjendje lufte, ndërsa agresori kryesor është Rusia.
“Qëllimi i Vladimir Putinit është marrja e të gjithë Ukrainës. NATO-ja është i vetmi mjet për mbrojtjen e saj, edhe pse e kuptoj që vendi nuk mund t’i bashkohet aleancës ushtarake në një të ardhme të afërt”, tha Arseniy Yatsenyuk, kryeministër i Ukrainës.
Armëpushimi i brishtë i 5 Shtatorit vazhdon të mbahet në këmbë, por në Kiev mbizotëron pasiguria. Mëngjesin e sotëm, zyrtarë të doganës ruse njoftuan se një autokolonë me ndihma ka kaluar nga Rusia në Ukrainën lindore.
Një varg i ngjashëm kamionësh kaloi në anën tjetër të kufirit edhe një muaj më parë, pa lejen e autoriteteve ukrainase, çka solli reagimin e menjëhershëm të Shteteve të Bashkuara dhe bllokut europian.
Komentet e Yatsenyukut vijnë pak pas vendosjes së një raundi të ri sanksionesh nga administrata amerikane, të cilat prekin bankat ruse dhe kompanitë e mbrojtjes dhe ato energjitike.
Masat janë pjesë e një përpjekjeje të përbashkët me BE-në, që synojnë ndëshkimin e Moskës për atë që Perëndimi e sheh si ndërhyrje ushtarake në Ukrainë, edhe pse Rusia nuk e pranon.
Një ditë më parë, Ministria e Jashtme e saj i përshkroi sanksionet e fundit si “hap armiqësor në linjën e kursit të konfrontimit”, të ndërmarrë nga Amerika, e premtoi masa ndëshkuese.
Megjithatë, si Brukseli dhe Uashingtoni e kanë bërë të qartë se sanksionet mund të zbuten, nëse do të shënohet progres, sa i takon vendosjes së paqes. NATO-ja pretendon se Rusia ka ende 1.000 trupa të armatosura rëndë në rajonet lindore të Ukrainës, si dhe gati 20.000 të tjera që presin në afërsi të kufirit.
Top Channel