Gjermania ndalon simbolet e ISIS

13/09/2014 00:00

Në Gjermani, ministri i Brendshëm ndaloi përdorimin e flamurit të zi me shkrim të bardhë arab, si simbol i “Shtetit Islamik”.

Në rajon, John Kerry ka për ndalesë të radhës Egjiptin, gjithmonë duke lobuar për të mbledhur sa më shumë mbështetje kundër organizatës ekstremiste; Perëndimi është vënë në lëvizje për të krijuar një bllok rezistence, ndaj atij që shihet si kërcënimi më i madh për sigurinë sot.

Ministri gjerman, Thomas de Maizière, deklaroi se Gjermania është një demokraci, që mund të mbrohet, dhe nje shtet, ku nuk ka vend për një organizatë të drejtuar kundër rendit të lirisë.

Ndalimi në fuqi përfshin çdo pjesëmarrje në “Shtetin Islamik”, qoftë kjo në mediat sociale, apo në demonstrata. Nga ky moment nuk lejohet as përdorimi publik i simboleve të ISIS-it, çka vlen në mënyrë të veçantë për flamurin e zi me shkrimin arab.

Kryediplomati amerikan, nga ana tjetër, përgatitet për një takim në Kajro me shefin e Ligës Arabe, Nabil al Arabi, gjithmonë në funksion të përpjekjeve të Uashingtonit, për krijimin e një koalicioni të gjerë, i cili t’i kundërvihet militantëve të “Shtetit Islamik”.

10 shtete arabe kanë ofruar mbështetjen e tyre, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin, por të premten Kerry përjashtoi mundësinë e bashkimit të Iranit me këtë koalicion ndërkombëtar të drejtuar nga Amerika.

“Do të ishte e papërshtateshme, që Irani t’i bashkohej grupit kundër ISIS-it, për shkak të angazhimit të tij në Siri e gjetkë. Teherani ka përkahur qeverinë e Bashar al-Assadit në Siri, ndërsa Shtetet e Bashkuara e vende të ndryshme europiane dhe të Gjirit Persik kanë mbajtur anën e fraksioneve rebele, që kërkojnë përmbysjen e tij”, u shpreh Kerry.

Pohimet e CIA-s, se ISIS ka në Irak e Siri mbi 30.000 luftëtarë, apo tre herë më shumë nga sa mendohej deri tani, e bëjnë edhe më të madh kërcënimin e këtij grupi të dhunshëm. Të premten, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se lufta kundër ISIS-it është e ngjashme me atë kundër grupit famëkeq të al-Qaedas, duke shënuar të parën herë që zyrtarët e administratës e përshkruajnë publikisht si luftë ofensivën kundër grupit militant në Irak dhe Siri.

Top Channel