Gaiani: Sistemi bankar, i qëndrueshëm

13/09/2014 00:00

Pas ambasadorit amerikan Alexander Arvizu, atij holandez Martin de la Beij, një tjetër diplomat perëndimor flet për arrestimin e guvernatorit Fullani.

Nga Shkodra, ambasadori italian Massimo Gaiani deklaroi se drejtësia duhet të lihet e qetë për të bërë punën e vet.

“Ka një hetim, që është në proces, dhe presim vendimin e gjykatës. Nuk mund të them asgjë tjetër, por rëndësi ka, që të vijojë e siguruar pavarësia dhe profesionaliteti i Bankës së Shqipërisë, që është një institucion i rëndësishëm. Ajo që mund të them, është se qetësia e tregjeve tregon që sistemi bankar është solid dhe funksionon normalisht”, u shpreh ambasadori Gaiani.

Kritika bojkotit të opozitës

Ambasadori italian: Politika dhe debati zhvillohen në Parlament

I pyetur në lidhje me bojkotin e opozitës, ambasadori Gaiani la të kuptohet se vendi i opozitës është në Parlament.

“Kemi ftuar të gjitha partitë politike të punojnë bashkë, të zhvillojnë dialogun. Vendi ku ndërtohet demokracia është Parlamenti, prandaj ftojmë në çdo rast dhe bëjmë apel, që ky dialog të përmirësohet dhe të krijohen mundësi për të bashkëpunuar”, deklaroi ambasadori italian.

Këto deklarata, ambasadori Gaiani i bëri pas vizitës në Bashkinë e Shkodrës, i shoqëruar nga eurodeputeti italian Fabio Porta.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta