Arben Manaj – Ekzaltimi ndaj arrestimit të guvernatorit të Bankës ishte i pritshëm, jo vetëm sepse pritshmëritë e publikut për dorëheqje dhe shkarkim kishin dështuar, por edhe sepse duket se një peshk i madh, përndryshe nga cironkat, më në fund, kishte rënë në rrjetë.
Por shumë shpejt gëzimin për peshkun e zëvendësoi shqetësimi për rrjetën; thënë ndryshe, drejtësinë, që do të duhet të sjellë në breg, jo këtë “catch of the day”, por kapje të epokës.
Paragjykimi ndaj drejtësisë shqiptare nuk është assesi ndonjë mani e atyre që formojnë opinione apo atyre që ushqehen me to, sesa është nënprodukt i tërë rekordit të kësaj drejtësie në këto dy dekada të post-komunizmit shqiptar.
Janë pikërisht dështimet në proceset e mëdha juridike në Shqipëri, ato që kanë mbjellë këtë skepticizëm të logjikshëm në opinionin publik vendas dhe atë ndërkombëtar.
Por pavarësisht motiveve apo evidencave që ka prokuroria shqiptare e “rilindur” ose e rizgjuar më saktë, nga buçitja e skandalit, pas letargjisë së identifikuar, një hallkë tjetër e sistemit do të japë shpresë ose do ta shembë atë.
Fullani, si guvernator i arrestuar, në bazë të parimit të prezumimit të pafajësisë, është thjesht i tillë, si çdo shtetas, deri në fund të dhënies së dënimit të formës së prerë nga të gjitha nivelet e gjyqësorit shqiptar.
Pa dyshim, ai do duhet dënuar ose shpallur fajtor për aq sa ka bërë dhe aq sa ka prova ndaj tij, apo edhe shpallur i pafajshëm, nëse akuzat nuk provohen. E kundërta nuk do ishte drejtësi.
Arrestimi pa dyshim është fillimi i drejtësisë, por vetëm dënimi i merituar dhe përtej çdo dyshimi do të jetë drejtësia që aplikohet rëndom kudo në shoqëritë demokratike.
Kam përshtypjen se e ndodhur nën presionin politik, nisur nga sa është nënkuptuar prej suportit politik para arrestimit që ka gëzuar Fullani, si dhe nga prononcimet me gjysmë zëri dhe gjysmë zemre dhe plot ekuivoke të politikës në Tiranë, drejtësia shqiptare do të vazhdojë të sillet në konsistencë me atë që ka praktikuar deri me sot dhe për të cilën është kritikuar me të drejtë; të vepruarit nën ndikimin politik.
Dhe kjo është fatkeqësia nëse rindodh, e një sistemi gjyqësor të konceptuar dhe të frymëzuar politikisht nga të gjithë aktorët politikë dhe administrativë pas rënies së komunizmit, njëlloj si edhe në atë botë, të kuptohemi.
Ajo që nuk do të duhet të ndodhë është një “persekutim” i pamerituar apo i pavërtetuar i Fullanit në procesin ndaj tij dhe tërë atyre që kanë gisht në skandalin bankar të shekullit në Shqipëri.
Fullani do duhet të marrë aq sa ka rol dhe aq sa ka përgjegjësi në këtë Fullan-gate. As më shumë e as më pak.
Në rast se drejtësia do shihet se “e ka dorën e rëndë” ndaj Fullanit, qeveria shqiptare, edhe përkundër pavarësisë institucionale, do të duhet të ndërhyjë në emër të drejtësisë së vërtetë, pasi kjo është ajo që ka munguar për sytë dhe veshët e shqiptarëve dhe kjo është ajo që ata kërkojnë nga një qeveri që tund fort kartën e reformës së munguar në drejtësi.
E njëjta gjë do të duhet të bëjë edhe në rastin e kundërt. Andaj, deklarata e Metës se do të mbështesin çdo vendim të gjykatave, më duket, pa e paragjykuar, dhe pa parë se si do të ecë procesi, një vijimësi e rrezikshme në dhënien e drejtësisë.
Jo, Shqipëria nuk ka nevojë për vendime gjykatash si ato të mega-proceseve të turpshme të para 23 qershorit të rotacionit politik.
Është luks dhe pushtllëk alla shqiptar, të ecet me çdo vendim që do japë një drejtësi alla “gjin-gjon”, si kjo e Shqipërisë, që nuk është shembull për demokracitë e përparuara sesa për regjimet më të telendisura autoritare dhe të korruptuara deri në gjen, si në vendin e arqi-oligarkut Putin.
Shqipëria nuk mund të pranojë apriori çdo vendim gjyqësor në këtë rast, pasi nuk është Angli në dhënien e drejtësisë, e këtu në ishull, është normale që drejtësia të japë ato vendime që jep, pasi i tillë është sistemi anglo-sakson i drejtësisë, një sistem që njihet si i pakorruptuar politikisht e financiarisht, e përpara të cilit i dridhen leqet e këmbëve çdo individi dhe çdo qeverie.
Sakaq, prokuroria shqiptare do të duhet të mbështetet edhe siç thanë Kryeministri, Kryetari i Parlamentit dhe kryeopozitari, me të drejtë. Por kjo prokurori edhe pse ka hedhur një hap të admirueshëm dhe të vlerësuar nga publiku, do të duhet të shkojë deri në fund të pusit që kanë hapur ata që mundën, me apo pa suport administrativ apo politik në Bankën e Shqipërisë.
Mbi të gjitha dhe më e rëndësishmja, do të duhet të shkohet deri në fund edhe të çdo transaksioni monetar të dyshimtë e të pazakontë të kryer gjatë mbretërimit të Fullanit, të bërë nga çdo individ me apo pa pushtet politik apo korporativ, në Shqipëri, që mund të mbajë erë krimi dhe pastrimi parash.
Kjo do ishte e dobishme, pasi do zbulonte ose do t’u mbyllte gojën spekulimeve për segmente të caktuara të politikës dhe oligarkisë së re dhe të vjetër, si motivi real për suportin politik ndaj Fullanit, që edhe ai mendon, siç është raportuar, se “e kanë prerë në besë”.
E kjo bëhet, vetëm nëse peshku i rënë në rrjetën e drejtësisë shqiptare nuk do të mund ta shqyejë vetë rrjetën apo nëse “peshkatari apo anëtarët e peshkarexhës”, që e peshkuan guvernatorin, nuk do i fusin thikën kësaj rrjete, që peshku të përfundojë aty ku meriton, në habitatin e vet natyral apo në tiganin aligerian të mëkatarëve.
Top Channel