Obama merr mbeshtetje ne Kongres

12/09/2014 00:00

Strategjia e tij kundër Shtetit Islamik po merr mbështetje nga të dyja partitë kryesore, megjithatë, në Kongres, disa ligjvënës republikanë druhen se ndërhyrja ushtarake e planifikuar nga Barack Obama mund të mos jetë e mjaftueshme për eliminimin e Shtetit Islamik.

Demokratët e përshëndetën planin e shefit të Shtëpisë së Bardhë, si një propozim për t’u admiruar, i cili parashikon sulme nga ajri, por jo dërgim trupash tokësorë në terren.

Në sytë e një opinioni publik të lodhur nga luftrat e zgjatura në Afganistan e Irak, mosdërgimi i ushtarëve e bën më të lehtë pranimin e një fushate ushtarake, ku rreziku për forcat e angazhuara është më i vogël dhe kostoja financiare më e ulët, se sa ajo e një lufte të mirëfilltë.

Siç sqaron “Zëri i Amerikës”, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve u mblodhën për të dëgjuar një raportim sekret mbi strategjinë ushtarake. Pas kësaj, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, tha se Kongresi duhet t’i japë Presidentit atë që kërkoi, autoritetin për stërvitjen e rebelëve sirianë, por duke shtuar sidoqoftë se mjaft anëtarë shqetësohen se një hap i tillë mund të jetë i mjaftueshëm për shkatërrimin e ISIS-it.

Një avion luftarak “An F16” nuk është strategji dhe, vetëm sulmet ajrore nuk do të mund të realizojnë atë që ne përpiqemi të arrijmë, u shpreh ai.

“Nuk jam i sigurt, nëse po bëjmë gjithë çfarë ne kemi mundësi të bëjmë për mposhtjen e këtij kërcënimi terrorist, dhe nëse objektivi ynë është asgjesimi i ISIS-it. Ka shume dyshime, nëse plani i paraqitur nga Presidenti mjafton për përmbushjen e këtij misioni”, tha John Boehner, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Boehner shtoi se sesionet e raportimit për sigurinë do të vazhdojnë në ditët në vazhdim dhe Kongresi do të votojë javën e ardhshme për kërkesën e Presidentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB