Lufta ekonomike mes Rusise dhe Europes

12/09/2014 00:00

Sanksionet ndaj Rusisë kanë hyrë në fuqi me bllokimin e huave për 5 banka të mëdha shtetërore dhe reduktimin e marrëdhënieve të biznesit të BE-së me firma të naftës e të mbrojtjes.

Qëllimi i këtyre masave është të ruhet trysnia mbi Moskën për shkak të rolit të saj në krizën ukrainase, por nëse armëpushimi disaditor do të vazhdojë të mbetet në këmbë, atëherë sanksionet e bllokut europian mund të lehtësohen apo edhe të hiqen fare.

Maja Koçijançiç, zëdhënësja e Catherine Ashton, deklaroi: “Bashkimi Europian i ka ashpërsuar sanksionet e tij në 4 fusha, të prekura që prej muajit korrik nga disa masa të mëhershme. Po flasim për qasjet në tregjet e kapitalit, mbrojtjen, teknologjinë dhe shkëmbimin e mallrave. Na ishte kërkuar gjithashtu hartimi i një liste individësh të lidhur me grupet separatiste në Ukrainën lindore, sidomos në zonën e Donbasit dhe ne e dorëzuam.”
 
Moska po përgatit përgjigjen e saj dhe sipas një zyrtari të lartë rus, në shënjestër mund të vihen makinat e importuara nga vendet e Bashkimit Europian. Sanksionet e BE-së bllokojnë shërbimet dhe teknologjinë “deep-ëater” për industrinë ruse të naftës. Tre janë firmat shtetërore ruse që preken prej kësaj lëvizjeje: Rosneft, Transneft dhe Gazprom Neft, njësia e naftës e gjigandit rus Gazprom.

Vështirësitë e aksesit në tregjet financiare do t’i ndiejë më shumë Rosnefti, që muajin e kaluar i kërkoi qeverisë ruse një hua prej 42 miliardë dollarësh. Presidenti ukrainas Petro Poroshenko e përshëndeti vendosjen e sanksioneve me pohimin se kurrë më parë nuk kishte ndjerë një nivel të tillë solidariteti.

Sot, tha ai gjatë një konference ndërkombëtare në Kiev, e ndiej veten anëtar të vërtetë të familjes europiane.

Sanksionet e bllokut nuk prekin megjithatë disa prej sektorëve kyçe të ekonomisë ruse: eksportet e gazit, industrinë hapësinore dhe energjinë atomike, e kjo nuk tingëllon edhe aq rastësore po të mbahet parasysh se shumë vende të Bashkimit Europian varen në masë të madhe nga Rusia për furnizimin me gaz apo edhe për teknologjinë nukleare.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB