Denimi i Pistoriusit

12/09/2014 00:00

Lotët e një dite më parë kur vendimi i gjykatës e shpallte jo fajtor për vrasje me paramendim u zëvendësuan sot nga dëshpërimi në sytë e atletit paraolimpik afrikano-jugor Oscar Pistorius.

Për gjykatësen Thokozile Masipa, edhe pse Prokuroria nuk arriti të vërtetonte se 27-vjeçari kishte dashur ta vriste partneren e tij, modelen Reeva Steenkamp 14 shkurtin e vitit 2013, ai sërish ka vepruar me pakujdesi të madhe kur me mendimin se bëhej fjalë për një hajdut, hapi zjarr ndaj personit që ndodhej në banjën e shtëpisë.

“Nuk mund të thuhet se i akuzuari nuk ka ushqyer një bindje të sinqertë se kishte një të huaj në shtëpi, por edhe pse e dinte që prapa derës së banjës ishte dikush, ai zgjodhi të hapte zjarr. Unë mendoj se i akuzuari veproi në mënyrë të rrëmbyer e përdori forcë të tepruar. Është e qartë se sjellja e tij është rrjedhojë e neglizhencës”, tha gjykatësja.

Kjo e vrasjes nga pakujdesia është një akuzë mjaft më e lehtë se ajo e të vepruarit me paramendim. Ish-ylli paraolimpik tani rrezikon një dënim me 15 vjet heqje lirie, edhe pse disa ekspertë ligjorë mendojnë se ka shumë gjasa që ai të marrë 7 apo e shumta 10 vjet burg.

Oscar Pistorius ishte një ndër atletët që tërhoqën vëmendjen më të madhe si në Lojërat Olimpike, ashtu edhe Paraolimpiket e 2012-tës në Londër. Në mbarë botën ai është konsideruar simbol i triumfit të njeriut mbi kufizimet fizike. Megjithëse me dy këmbë të prera që pa mbushur një vjeç, Pistorius lobonte prej vitesh që t’i jepej mundësia të konkuronte në aktivitete sportive përballë atletëve normalë, edhe pse vraponte me dy këmbë artificiale të prodhuara enkas për të.

Me modelen 29-vjeçare shoqërohej prej disa muajsh e sipas dëshmive në sallën e gjyqit kishte raste që bëhej i dhunshëm.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB