
Dhjetë shtete arabe, përfshirë Arabinë Saudite, kanë rënë dakord të rreshtohen pranë Shteteve të Bashkuara për të ndalur kërcënimin nga xhihadistët e Shtetit Islamik.
Pas bisedimeve me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry në Xhedah, përfaqësuesit e këtyre vendeve ranë dakord të ofrojnë ndihmën e tyre për të ndalur financimet dhe luftëtarët e huaj për ISIS.
Zoti Kerry po përpiqet të ndërtojë një koalicion kundër militantëve, që kontrollojnë zona të gjera në Siri dhe Irak. Por Rusia e ka kundërshtuar përdorimin e sulmeve ajrore në Siri.
Ministria e Jashtme ruse deklaroi se një veprim i tillë, pa mbështetjen e OKB-së, do të ishte një agresion dhe një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar.
Presidenti amerikan Barack Obama ka kërcënuar me aksione kundër ISIS-it dhe zoti Kerry është ngarkuar me detyrën e formimit të një koalicioni rajonal kundër militantëve.
Në përfundim të takimit në Xhedah, në një deklaratë të përbashkët për shtyp u deklarua “angazhimi i përbashkët për t’i bërë ballë kërcënimit të terrorizmit”, përfshirë ISIS-in.
Në dokumentin në fjalë thuhet gjithashtu se, pjesëmarrësit në takim kanë diskutuar për një strategji për të shkatërruar organizatën terroriste, si në Irak ashtu edhe në Siri.
Bashkë me Arabinë Saudite, shtetet arabe që bëjnë pjesë e këtij koalicioni janë Bahreini, Egjipti, Iraku, Jordania, Kuvajti, Libani, Oman, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Turqia, vend anëtar i NATO-s, ishte e përfaqësuar në këtë takim por nuk e ka firmosur marrëveshjen.
Top Channel