Poroshenko: Trupat ruse po terhiqen

11/09/2014 00:00

Rusia, sipas presidentit ukrainas Petro Poroshenko, duket të ketë tërhequr më shumë se dy të tretat e trupave të saj nga rajondet lindore të vendit të tij, çka rrit akoma më shumë shpresat e një vazhdimësie të armëpushimit të brishtë që u firmos javën e kaluar.

Në takimin e kabinetit të tij të transmetuar në televizionin shtetëror, Poroshenko përmendi disa të dhëna zbulimi të cilat tregojnë se gati 70% e ushtarëve rusë që kishin hyrë në shtetin fqinj për të luftuar në krah të separatistëve, tani janë kthyer në Rusi.

“Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm i cili ushqen shpresën se iniciativa e paqes mund të ketë vërtet një perspektivë të mirë”, tha Poroshenko.

Nga pohimet e NATO-s në Ukrainë duhet të kenë hyrë të paktën 10.000 ushtarë të Moskës për të cilët mjaft vëzhgues besojnë se kanë ndihmuar në avancimin e rebelëve të përballuar deri para pak javësh me humbje të mëdha gjatë luftimeve me forcat e Kievit. Rusia ka mohuar të ketë çuar trupa dhe pajisje ushtarake në Ukrainën lindore, edhe pse udhëheqësit separatistë thanë se po ndihmoheshin nga ushtarët rusë, të cilët e përdorën kohën e tyre të pushimeve për të luftuar me trupat ukrainase të territorit ukrainas.

Të martën, shërbimi i shtypit i Kremlinit citoi presidentin rus Vladimir Putin t’i ketë thënë zotit Poroshenko gjatë bisedës telefonike se ai është i përkushtuar për një zgjidhje paqësore të krizës me Ukrainën.
Njoftimi për bisedën telefonike erdhi ndërsa SHBA-të thanë se po finalizonin disa masa për zgjerimin e saknsioneve ndaj Rusisë lidhur me qëndrimin ndaj Ukrainës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB