Rrëmbimi masiv në shkollën katolike, lirohen 130 nxënës të tjerë në Nigeri
Presidenti ukrainas ka deklaruar se do të ofrojë më shumë autonomi për separatistët në lindje, në mënyrë që ta mbajë vendin të bashkuar.
Petro Poroshenko tha se armëpushimi aktual e ka ndryshuar rrënjësisht situatën, pavarësisht raportimeve se rebelët kanë marrë nën kontroll një tjetër qytet.
Por një lider i rebelëve në Donetsk i hodhi poshtë këto deklarata dhe tha se, banorët e këtij qyteti kanë ndërmend të shkëputen dhe të jetojnë të pavarur.
Armëpushimi mes palëve hyri në fuqi të premten e kaluar, përmes një marrëveshje të nënshkruar në Minsk të Biellorusisë, mes palës ukrainase dhe përfaqësuesve të separatistëve.
Poroshenko dhe homologu rus Putin zhvilluan një tjetër bisedë telefonike të martën dhe u shprehën të kënaqur me mënyrën se si po ecën armëpushimi, konfirmoi një zëdhënës i Kremlinit.
Në një mbledhje të kabinetit të tij, të transmetuar direkt në televizion, lideri ukrainas tha se implementimi i armëpushimit ka qenë i vështirë mes luftës për pavarësi dhe ruajtjes së integritetit të vendit.
“Por kjo situatë ka ndryshuar rrënjësisht. Përpara se të njoftohej armëpushimi, Ukraina po humbiste jetët e dhjetëra heronjve të saj çdo ditë”, tha Poroshenko.
Sipas tij, të dhënat e fundit të mbledhura nga shërbimet e inteligjencës tregojnë se 70 për qind e trupave ruse janë tërhequr mbrapsht përtej kufirit.
Presidenti shtoi se po kërkon një zgjidhje të përhershme të konfliktit dhe i ka dërguar Parlamentit një projekt/ligj që u jep separatistëve më shumë autonomi, por që i mban rajonet e tyre në Ukrainë.
Por Andrei Purgin, numri dy i qeverisë së Republikës së vetëshpallur të Donetskut, u përgjigj duke thënë se rebelët nuk kanë ndërmend të mbeten pjesë e Ukrainës.
Top Channel