
Liderët e partive kryesore në Britaninë e Madhe u kanë bërë thirrje skocezëve që të votojnë kundër pavarësisë së Skocisë, në prag të referendumit që do të zhvillohet më 18 shtator.
Kryeministri David Cameron, njëkohësisht kryetari i konservatorëve, tha se do të ndihej “zemërthyer” në rast se do të votohej pro shkëputjes.
Në të njëjtën linjë, lideri i opozitës Ed Miliband deklaroi se, unioni duhet të jetë “me mendje, zemër dhe shpirt”, ndërsa liberal-demokrati Nick Clegg po ashtu u bëri thirrje skocezëve të votojnë “jo”.
Këtë herë zoti Cameron dhe Miliband braktisën sesionin e pyetjeve në Westminister për t’u drejtuar në veri dhe, pavarësisht se bënë fushata të ndarë, të tre liderët ishin në unison kur u bënë thirrje skocezëve që të qëndrojnë të bashkuar.
Ata kanë mbështetur një plan veprimi të hartuar nga ish-kryeministri Gordon Brown, i cili sipas tyre do të krijojë vende të reja pune me dhënien e kompetencave të reja Skocisë më 19 shtator, një ditë pas referendumit.
Duke folur nga Edinburgu, zoti Cameron tha se e pyesin shpesh nëse partia e tij do ta kishte më të lehtë të fitonte zgjedhjet pa Skocinë.
“Përgjigjia ime ndaj kësaj pyetjeje është se më intereson më shumë vendi im sesa partia ime. Më intereson tej mase vendi ynë i jashtëzakonshëm, Mbretëria e Bashkuar që kemi ngritur së bashku”, u shpreh Cameron.
“Do të më thyhej zemra në rast se kjo familje kombesh që kemi ngritur, përmes të cilës kemi bërë shumë gjëra të mëdha, do të shpërbëhej”, shtoi ai gjatë një takimi.
Por nga ana tjetër, ministri i parë i skocezëve, Alex Salmond deklaroi se kundërshtarëve të tij politikë nuk mund t’u zihet besë.
Top Channel