SHBA, gati sulmet në Siri

10/09/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka bërë të ditur se ka të gjithë autoritetin e nevojshëm për të zgjeruar veprimet ushtarake kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Irak dhe Siri, pa pasur nevojë për miratimin e Kongresit.

E megjithatë, ai ende do të pyesë Kongresin për të miratuar furnizimin me armë të forcave opozitare siriane. Obama pritet të japë një fjalim gjatë mbrëmjes së të mërkurës, në të cilin do të përshkruajë strategjinë e tij kundër IS.

Militantët e Shtetit Islamik kanë pushtuar rajone të gjera në Siri dhe Irak gjatë muajve të fundit, si dhe kanë deklaruar krijimin e “kalifatit”. Në muajt e kaluar, militantët e IS kanë ekzekutuar me prerje koke dy gazetarë amerikanë, në shenjë proteste kundër sulmeve ajrore amerikane ndaj tyre në Irak.

Lëvizjet e Obamas vijnë në një kohë kur Sekretari i Shtetit, John Kerry, udhëton drejt Lindjes së Mesme në një përpjekje për të formuar mbështetjen rajonale për një koalicion luftues ndaj IS.

Arabia Saudite do të organizojë bisedimet mes Kerryt dhe zyrtarëve të tjerë nga 10 shtete arabe, si dhe Turqia.

Ndërkohë, ambasadori saudit në Londër, Princi Mohammed bin Naëaf, refuzoi sugjerimet se qeveria e tij ishte duke mbështetur apo financuar Shtetin Islamik, duke thënë se Arabia Saudite është objektivi kryesor i grupit të militantëve dhe jo nxitësi i tyre.

Obama diskutoi gjatë mbrëmjes së të martës strategjinë e tij kundër Shtetit Islamik me liderët e të dyja partive në Shtëpinë e Bardhë. Një zëdhënës tha se bisedimet ishin “produktive”.

Takimi me liderët e Kongresit erdhi një vit pasi ligjvënësit bllokuan planin e dikurshëm të Obamas për sulme ajrore kundër Sirisë.

Obama ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes së trupave amerikanë në terren kundër IS, por ka theksuar se mund të zgjerojë sulmet ajrore duke përfshirë edhe Sirinë.

“Përgjatë një muaji, ne jo vetëm që do të kemi mundësi të dobësojmë vrullin e IS, – tha ai gjatë së dielës, – por do të degradojmë sistematikisht aftësitë e tyre. Do të ngushtojmë gjithnjë e më shumë territorin e kontrolluar prej tyre dhe, së fundi, do t’i mposhtim ata”.

Top Channel