Obama autorizon sulme ajrore në Siri

10/09/2014 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama gjatë një fjalimi të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë u zotua për të shkatërruar Shtetin Islamik (IS), duke autorizuar edhe sulme ajrore për herë të parë në Siri.

Vendimi i Obamës për të ndërmarrë sulme ajrore brenda territorit të Sirisë, e cila është e përfshirë nga një luftë civile 3-vjeçare, tregon për rëndësinë me të cilën zyrtarët amerikanë janë duke gjykuar Shtetin Islamik.

“Objektivi ynë është i qartë: ne do të degradojmë dhe në fund do të shkatërrojmë ISIS përmes një strategjie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme kundër terrorizmit. Kjo do të thotë se nuk do të ngurrojmë të marrim masa kundër ISIS në Siri dhe në Irak. Parimi kryesor është: nëse ju kërcënoni Amerikën, nuk do të gjeni asnjë strehë të sigurt”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Obama tha se do të zgjerojë listën e objektivave brenda Irakut përtej zonave të izoluara. Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë edhe 475 këshilltarë ushtarakë amerikanë për të ndihmuar forcat irakiane, por ata nuk do të angazhohen në luftime.

“Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët për të mos lejuar dërgimin e ushtarëve të huaj brenda dhe jashtë Lindjes së Mesme. Gjithashtu do të vazhdojë dërgimi i ndihmave humanitare për civilët’, ka shtuar Presidenti amerikan.

ISIS kontrollon territore të mëdha në Irak dhe Siri. Militantët e Shtetit Islamik kanë shfaqur brutalitetin e tyre, me ekzekutimet makabre të gazetarëve perëndimorë.

Deri tani SHBA-ja ka kryer mbi 150 sulme ajrore kundër militantëve në Irak, gjithashtu ka dërguar armë për forcat irakiane dhe kurde në luftën e tyre kundër ISIS.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA