
Njoftimet se xhihadistët kanë përdorur territorin turk, si rrugë kalimi, kanë shtuar kritikat për Ankaranë, si brenda dhe jashtë kufijve, e në të njëjtën masë po rriten dhe presionet për pozicionim të qartë me pjesëmarrjen në një aleancë kundër ISIS-it.
Por, qeveria turke po e shmang angazhimin publik. Kur luftëtarët e Shtetit Islamik morën në Qershor Mosulin, në Veri të Irakut, diplomatët në konsullatën turke të këtij qyteti hezituan shumë gjatë.
Xhihadistët rrethuan përfaqësinë dhe kërcënuan me të shtëna. Pas pak turqit u dorëzuan. 49 vetë; diplomatët, punonjësit konsullorë dhe anëtarët e familjeve të tyre; ndër ta edhe disa fëmijë; u morën peng.
Për të shmangur debatin publik mbi pengmarrjen, qeveria turke bllokoi lajmet. Por, disa depërtuan në publik. Ekzekutivi i kryeministrit Ahmet Davutoglu pretendon se e njeh vendndodhjen e të burgosurve, por shton se nuk duhet të pritet një kthim i shpejtë i tyre në shtëpi.
Disa ekspertë mendojnë se kjo e pengjeve turke nuk është vetëm një krizë humanitare, por tani po dikton edhe politikën e Ankarasë në raport me ekstremistët e Shtetit Islamik.
Në Perëndim, ndërkohë, sa vjen e shtohet shqetësimi mbi numrin e xhihadistëve, që përdorin Turqinë për t’iu bashkuar militantëve të ISIS-it. Këtë të fundit, Ankaraja e konsideroi fillimisht si grup që luftonte, si kundër Bashar al-Assadit, ashtu edhe kundër aspiratave kurde për autonomi në Siri, megjithatë nuk e merrte shumë seriozisht.
Ekstremistët duket se përfituan pikërisht nga fakti, që autoritetet turke nuk i kushtuan vëmendje lëvizjeve të tyre në kufirin me Sirinë. Përkrahësit e Shtetit Islamik kanë publikuar një video të një takimi të fundit, të qindra pasuesve të kësaj ideologjie në një zonë pranë Stambollit.
Qeveria e quajti këtë manovër publicistike. Por, analistët thonë se shumë në Turqi e shohin si sinjal të zhvillimeve në të ardhmen, duke shtuar se ndikimi i Shtetit Islamik në vendin me shumicë muslimane mund të jetë i gjerë e me pasoja të rënda.
Top Channel