Fadil Lepaja – Mediat botërore, lajmet për luftën nuk i vendosin më në faqe të parë. Lufta nuk është më lajm. Ajo është bërë dukuri normale. Lufta është edhe biznes.
Pas çdo lufte shikojeni pasurinë e udhëheqësve të luftës, të (pa)deklaruar në antikorrupsion! Pastaj shikoni protestat e ish-luftëtarëve dhe do e kuptoni kush ka bërë biznes e kush luftë! Vetëm shikojeni përbërjen e komisioneve qeveritare për antikorrupsion dhe … e kuptoni! Vetëm idealistët nuk e kuptojnë. Emocionet janë karremi në fazën e parë, atë të rekrutimit për luftë.
E në faqe të para të gazetave, e sidomos nëpër portale, shkëlqejnë yjet e filmave, muzikës dhe të sportit. Ata janë ëndrra dhe modeli për njeriun e zakonshëm. Kur Kim Kardashian tregon të pasmet, ky po që është megalajm. Apo Vildanja, e cila suksesshëm po e kopjon Kimin. Kur Rita ulet apo del pakujdesshëm nga vetura … edhe kjo bëhet lajm. Krenaria jonë kombëtare duhet pranuar se pas ndarjes me të dashurin skocez duket si e përhumbur … por, nuk është lehtë të jesh yll. E kanë lehtë të flasin gjyshet tona që rritën nga 2-13 fëmijë. Pastaj ishin edhe me dimije. Pa rrezik.
E në shtëpi, kemi mbetur konservativë. Kur dikush shfaqet lakuriq në ekran, kanali ndërrohet. Kanali ndërrohet edhe për një puthje koti. Qindra kanale. Ndërkohë që nëpër ekranet tona dhuna është zemra e ngjarjes. Kur ka dhunë, nuk ndërrohen kanalet. Madje edhe gjyshet afrohen me këqyr. I pëlqejnë filmat me burra të fortë. Sikur këtynehere. Me një nëntëshe me i vra 90 veta!
Kështu, të bësh seks apo të puthesh kjo është turp, e besa edhe mëkat. Ndërsa të rrahësh, të vrasësh apo të përdorësh kokainën, kjo është … moderne. Adrenalina ngrihet. Policia (s)merret me këto. Edhe policët janë rritur me kinema.
Shumë herë nëpër filma e shohim se si kriminelët qeverisin nga burgu me imperitë e tyre dhe luajnë me kukullat e tyre … politikanët. Ata janë heronj të mediave. Por, te ne edhe kjo është aq e ngatërruar! Nuk dihet ku përfundon filmi e ku fillon realiteti. Ne kopjojmë!
Disa fansa të një këngëtareje tonë, duke e bërë “lajk” foton e saj nudo, po i bëjnë vërejtje për një unazë koti, me formën e kryqit. “Po e mohon fenë e saj”, klithin fansat në komentet e tyre. E për disa këngëtare, besimi është biznes, sikur stinët. Një muaj të mbuluara e njëmbëdhjetë nudo. Pra, krejt është çështje interpretimi.
Ritës, heroinës sonë nacionale, i kishin dalë të pasmet në publik. Në fakt, në këtë fatkeqësi është fat se krejt kjo nuk ka ndodhur diku ku ka polici morale. Me të do të merreshin dijetarët. Do të përfundonte në burg.
Sidoqoftë, paparacët e përjetësuan këtë “ngjarje” dhe klerikët tanë përpos mallkimeve, ndoshta do të lëshojnë edhe ndonjë urdhëresë interne që askush, as rastësisht, mos me dërgue mësit për me e lyp Ritën për nuse! U pa puna, nuk e ka nafakën në katund, Rita! Pastaj, duke i luftuar këto dukuri negative, dijetarët do të dokumentojnë përparësitë e veshjeve orientale, përfshi edhe dimijet. Po të kishte veshur dimije, Rita, aksidenti nuk ka pas asnjë gjasë me ndodhë. Pra, preventiva.
Por, paparacët tash kanë filluar të fotografojnë edhe imamët. Kohëve të fundit janë bërë yje mediale. Për dallim prej atje ku jetohet me ligjet e tyre, këndej dijetarët kanë filluar të kalojnë rrugën nëpër “zebër”. Përndryshe, me fol kah del shpirti, në asnjërin nga librat e shenjtë nuk përmendet “zebra”. Së paku jo në kuptimin, të cilin e ka ajo sot, si vendkalim i rezervuar nëpër rrugët e asfaltuara. Askund nuk thuhet se rruga duhet kaluar nëpër “zebër”!
Në librat e shenjtë, nuk përmendet as asfalti, as semafori, as teknologjia e lartë, të cilën e posedojmë ne sot, por ndoshta duke pasur parasysh kohën e zbritjes së tyre, nuk ka qenë e arsyeshme me i zbulue … para kohe. Njerëzit do të tmerroheshin dhe do të kujtonin se mos po ia fusin kot, profetët.
Asokohe, rruga kalohej pa telashe të mëdha. Përpos, nëse ndonjë karvan i gjatë devesh nuk çonte pluhur shkretëtirës apo nëse ndonjë kalorës i çmendur nuk ngutej dikah. Rrugët e shtruara me gurë ishin pak, ndërkohë që shumë prej tyre mbuloheshin nga rëra e shkretëtirës. Ato rihapeshin sipas nevojës. Kështu, derisa shumë mjete pune apo transporti asokohe kishin kuptim konkret, tash përdoren veç si metafora.
Mirë, tash dikush mund të thotë se çka ka rëndësi se në librat e shenjtë nuk qenka përmendur “zebra” apo ndonjë ndërtesë më e madhe se Kulla e Babilonit, por … krejt kjo ka të bëjë me interpretimin. Po t’i thoshe asokohe dikujt se duhet me kalue rrugën nëpër “zebër”, ata do të qeshnin. Në rastin më të mirë do të të quanin të çmendur.
Një miku im, teolog, duke u ndeshur me probleme të kësaj natyre, po flet për reforma. Reformë për të nuk do të thotë të amendohen librat e shenjtë, siç promovojnë disa ide të tyre luftarake. Ai thotë, se duhet reformë në interpretim. Të interpretohen librat sipas nevojës dhe sipas simbolikës së kohës. Por … po flisnim për “zebrën”.
Imami ynë, në një foto të postuar në rrjetet sociale, ndërsa po kthehej nga biseda informative në ambientet e policisë së Kosovës, po e kalonte rrugën, serbes-serbes nëpër zebër. Atje ishte thirrur, për shkak të interpretimit të tij të librit të shenjtë. Sidoqoftë, ai i cili e ka fotografuar, po u dërgonte një mesazh të gjithëve, se imami ynë është njeri që i respekton edhe rregullat e komunikacionit e lëre më ndalesa më rigoroze si ato nga Kodi Penal i Republikës! Imami ynë ka pasaportë. Nuk e ka shqyer atë publikisht.
Pra, imami e respekton ligjin, ai ecën veç nëpër “zebër” dhe … mirë bën. Mirë do të bënin po të ecnin nëpër “zebër” edhe politikanët. Por ata nuk e kanë këtë problem. Ata nuk ecin në këmbë.
Dikur, jo moti, kur kanë folur shtazët, një lepur po e mprihte një shkop dhe po e kërcënonte luanin. Të gjitha shtazët e pyllit po e dëgjonin dhe po qeshnin me të. Njëkohësisht edhe po ia përmendnin deliktin verbal. E kur andejpari kaloi vetë luani, lepuri i ndërroi fjalët. Po e mpreh këtë shkop e po flas marrëzira, tha ai, ndërsa po i përkëdhelej luanit.
E ku di lepuri çfarë është “zebra”?
Top Channel