
Britania e Madhe do të mbikëqyrë shërbimet financiare në Komisionin Evropian, një lëvizje surprizë kjo që ka kënaqur kryeministrin David Cameron.
Sipas raportimeve të BBC në lidhje me ndarjen e pushteteve të Komisionit me 28 vende anëtare, edhe përgjegjësia për krijimin e vendeve të reja të punës do t’i shkojë një britaniku, ish-liderit të Dhomës së Lordëve, Jonathan Hill.
Edhe Franca ka marrë një post të rëndësishëm; ish-ministri i Financave, Pierre Moscovici do të drejtojë politikat ekonomike të Bashkimit Evropian.
Sa u takon posteve kyçe në organizmin që qeveris bllokun evropian ka pasur një rivalitet të ashpër. Në këtë strukturë ka edhe 7 zëvendëspresidentë për çështjet kyçe si rritja ekonomike, rregulloret dhe energjia.
Sipas BBC, nga këto 7 poste 3 u janë dhënë grave. Presidenti Jean Claude Juncker, teksa ka njoftuar ndarjen e posteve, tha se “ekipi i ri është gati t’i japë Evropës një start të ri”.
Grupi përfshin 5 ish-kryeministra, 4 zëvendëskryeministra dhe shtatë komisionerë që kthehen për të kryer një detyrë të re në mandatin 5-vjeçar. Synimi i tyre do të jetë luftimi i euroskeptikëve, që akuzojnë Brukselin se po harxhon paratë e taksapaguesve dhe po krijon shumë rregulla që dëmtojnë bizneset.
Zyrtarët evropianë deklarojnë se kanë hartuar një bllok të përbashkët rregullash, që do të përforcojë Unionin dhe do të ndihmojë tregjet e vendeve anëtare duke reduktuar barrierat kombëtare.
Sikurse dihet, italiania Federica Mogherini ka marrë aprovimin për të qenë Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme, ndërkohë që ish-ministri i Jashtëm holandez Frans Timmermans do të jetë “krahu i djathtë” i presidentit Juncker, në cilësinë e zv.presidentit të parë të KE.
Zoti Juncker ka hapur dyert edhe për politikanët e qendrës së majtë, duke kombinuar dialogun social-ekonomik në një portofol të vetëm, nën drejtimin e komisionerit Vladis Dombrovskis, nga Latvia. Ish-kryeministri finlandez Jyrki Katanien do të koordinojë politikat për punësimin, investimet dhe konkurrencën.
Ndërsa polakja Elzbieta Bienkowska do të kujdeset për tregun e brendshëm me fokus të veçantë për bizneset e vogla. Një tjetër post i rëndësishëm i dhënë Polonisë është ai për ish-kryeministrin Donald Tusk, që do të jetë president i Këshillit të Evropës.
Shtatë komisionerë u emëruan ndërkohë për një mandat të dytë 5-vjeçar, mes të cilëve: Kristalina Georgieva nga Bullgaria, Johannes Han nga Austria, Cecilia Malmstroem nga Suedia, Guenther Oettinger nga Gjermania dhe Maros Sefcovic nga Sllovakia.
Top Channel