
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ka shpjeguar ambasadorëve gjatë një dreke pune, se opozita nuk ka ndërmend ta tolerojë kryeministrin Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Meta, në atë që demokratët e quajnë plan për kapjen e shtetit dhe mbylljen e gojës së opozitës.
Duke u bërë të qartë, se opozita nuk ka ndërmend ta ndryshojë qëndrimin jashtë Parlamentit, mësohet se zoti Basha u ka kërkuar përfaqësueve të trupit diplomatik të reagojnë për këtë sjellje të qeverisë.
“Sot, kjo qeveri ndihet se nuk mund të japë llogari as para Kushtetutës, as para gjykatave të vendit, as në Parlament para parlamentarëve, por se mund të vazhdojë orgjinë e saj oligarkike duke shkelmuar dhe shkelur themelet e demokracisë dhe shtetit ligjor. Pra, të ekzistojë dhe të sundojë në një vend, ku do ta nxjerrë opozitën të tepërt. Të gjitha këto janë produkt i drejtpërdrejtë i një qeverie që nuk dëgjon, nuk sheh, nuk do të japë llogari”, u shpreh zoti Basha.
Sipas kreut të Partisë Demokratike, qeveria nuk do t’ia dalë të fshihet gjatë pas propagandës dhe mashtrimeve të partnerëve dhe qytetarëve të vendit të vet.
“Opozita nuk mund të pajtohet kurrë me këtë situatë, e aq më pak të bëhet bashkëfajtore duke iu bërë dekor oligarkisë Rama-Meta”, shtoi më tej Basha.
I pyetur nga gazetarët se “a e kanë përkrahjen e ambasadorëve për qendrimin e tyre jashtë Parlamentit”, kreu i PD u përgjigj:
“Me ambasadorët biseduam qartë dhe shtruar për këtë çështje, siç kemi biseduar dhe do të bisedojmë në të ardhmen. Është detyra jonë si opozitë, është misioni që na ka besuar qytetari shqiptar më 23 Qershor, është misioni i Partisë Demokratike që ditën që ka lindur. Mbrojtja e demokracisë, e shtyllave të saj, e jetës parlamentare, si zemra e demokracisë dhe e sovranitetit të popullit mbi qeverinë, dhe jo anasjalltas, ia vlejnë çdo betejë dhe ne jemi të gatshëm për çdo betejë”, përfundoi Basha.
Top Channel