
Jo më kaq e pandjeshme ndaj sanksioneve të Perëndimit, Rusia paralajmëroi se po të vihen në jetë planet për një raund të ri masash shtrënguese të bllokut europian, atëherë ajo mund të bllokojë fluturimet ndërkombëtare në hapësiren e vet ajrore.
E megjithatë, duket se te BE-ja e pavendosur plotësisht, ky kërcënim pati efektin e kundërt. Bashkimi Europian deklaroi se sanksionet e reja do të adoptohen shumë shpejt e mund të hyjnë në fuqi të martën. Por, zëdhënësja e bllokut sqaroi se ato janë të “kthyeshme”, në varësi të ecurisë së situatës në Ukrainë.
Separatistët pro-rusë kanë shënuar kohët e fundit përparime të mëdha, por pavarësisht të shtënave sporadike, armëpushimi i brishtë në Lindjen e Ukrainës duket se po mban ende.
Rusia i ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme akuzat e Kievit dhe Perëndimit se ka dërguar trupa në rajonet e Donjeckut e Luhanskut, për të ndihmuar rebelët, që kërkojnë krijimin e një shteti të pavarur.
Përballë mundësisë së masave të reja të bllokut, kryeministri rus Dimitri Medvedev, kërcënoi se Moska do t’u përgjigjet sanksioneve me të njëjtën monedhë.
“Bllokimi i hapësirës ajrore ruse, – ka thënë ai për të përditshmen “Vedomosti”, – do t’i çonte drejt falimentimit shumë kompani ajrore, që janë sot në vështirësi. Nëse sanksionet kanë të bëjnë me sektorin e energjisë apo atë financiar, përgjigja jonë do të jetë simetrike e do të ketë edhe nga ne kufizime. Me partnerët tanë, ne punojmë në bazën e marrëdhënieve të miqësisë së mirë, – shtoi Medvedev, – e për këtë arsye qielli rus është i hapur për fluturime. Por, nëse na bllokojnë, të njëjtën përgjigjie do t’iu japim edhe ne”.
Nëse Rusia mbyll rrugët ajrore drejt destinacioneve aziatike, kompanive do t’iu duhet të paguajnë shumë më tepër për karburant dhe, në mjaft raste, fluturimet do të jenë shumë më të gjata.
Top Channel