Londra, autonomi për Skocinë

08/09/2014 00:00

Rezultatet e sondazheve për referendumin e pavarësisë në Skoci, ku grupi pro shkëputjes shënon një avantazh të lehtë, kanë shkaktuar shqetësim në Britani.

Londra zyrtare diskuton marrjen e disa masave urgjente e bindur t’i mbajë skocezët brenda Mbretërisë së Bashkuar dhe këtë synon ta bëjë nëpërmjet ofrimit të një autonomie më të madhe dhe shtimit të fondeve. Strategjia e qeverisë së David Cameronit mund të përfshijë zgjerimin e kompetencave të skocezëve në çështjet fiskale e atyre të tatimeve.

Kabinetit rajonal në Edinburg do të marrë në bazë të kësaj edhe kompetenca të tjera në çështjet sociale. Votuesve do t’u kërkohet në 18 shtator t’i përgjigjen me po ose jo pyetjes nëse Skocia duhet të jetë një vend i pavarur. Pas një përkatësie më shumë se 300-vjeçare në Mbretërinë e Bashkuar, leja për mbajtjen e një referendumi të mëvetësisë iu dha më në fund dy vjet më parë, kur marrëveshjen e nënshkruan kryeministri britanik Cameron dhe shefi i qeverisë rajonale skoceze, Alex Salmond.

Kundërshtarët e shkëputjes për një kohë të gjatë e kanë parë veten në pozita të sigurta. Por, në metrat e fundit para finishit të fushatës së gjatë elektorale, raportet e shumicës janë përmbysur dhe situata mbetet e tensionuar. Pasi anketa e parë e realizuar mbi këtë çështje parashikon një epërsi të lehtë për mbështetësit e pavarësisë, “kampi jo” po kundërpërgjigjet duke ashpërsuar fushatën e tij.  

Në Londër, kryebashkiaku konservator Boris Johnson deklaroi se pavarësia e Skocisë do të ishte një katastrofë e vërtetë dhe një përdhosje e emrit të Anglisë në arenën ndërkombëtare. Nëse në votimet e 18 shtatorit më shumë se gjysma e zgjedhësve do të votojnë pro shkëputjes, në vitin 2016 Skocia do të bëhet e pavarur.

Top Channel