
E gjithë zona përreth digës së Haditës është pastruar nga militantët e ISIS-it, pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë, por edhe zgjerimit të fushatës ajrore amerikane në veriun e Irakut.
Xhihadistët janë përpjekur vazhdimisht të marrin digën strategjike në provincën perëndimore të Anbarit nga duart e trupave qeveritare dhe fiseve në aleancë me njëri-tjetrin. Por, bashkimi i forcave të këtyre të fundit, kombinuar edhe me mësymjen amerikane nga ajri ka dhënë rezultat në zbrapsjen e ekstremistëve.
Siç pohon dhe lideri tribal sheiku Ahmed Abu Risha, sulmet ajrore kanë qenë mjaft të sakta, nuk kanë shkaktuar asnjë dëm anësor dhe shton se po të kishte rënë diga në duart e shtetit islamik, shumë zona të Irakut, përfshirë dhe vetë Bagdadin, sot do të përballeshin me një kërcënim serioz.
Diga e Haditës është objekti i dytë më i madh hidroelektrik i Irakut e siguron gjithashtu ujë për miliona vetë. Që nga fillimi i gushtit, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë më shumë se 130 sulme ajrore në mbështetje të forcave irakiane e atyre kurde që luftojnë ISIS-in në veri, por ato të së dielës ishin të parat sulme të këtij lloji në Anbar.
Të mërkurën presidenti amerikan Barak Obama pritet të bëjë publike strategjinë e tij për mposhtjen e ISIS-it. Përpara kësaj, ai do të takohet me liderë të Kongresit për të diskutuar mbi grupin islamik të kthyer në rrezikun më të madh terrorist të momentit. I kritikuar deri tani për dështimin në hartimin e një plani konkret, Obama i tha rrjetit televiziv NBC se Amerika do ta dobësojë ISIS-in, do të tkurrë territorin e tij e në fund do ta mposhte.
Por, strategjia e shumëdiskutuar nuk ka për të qenë një njoftim për dislokimin e trupave tokësore amerikane.
“Ne jo vetëm që do t’i kundërvihemi vrullit që ka fituar ISIS-i, por do t’i degradojmë në mënyrë sistematike aftësitë e grupit; do ta kufizojmë territorin që kontrollon e në fund, do ta mposhtim”, tha Obama.
Plani i shefit të Shtëpisë së Bardhë përfshin edhe një koalicion ndërkombëtar. Deri tani, Obama ka marrë oferta për ndihmë nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Turqia e Polonia.
Top Channel