Ende “shpresë” për avionin e zhdukur

08/09/2014 00:00

6 muaj nga zhdukja e mistershme e fluturimit MH370, familjarët e personave në bordin e tij vazhdojnë të mundohen nga e njëjta pyetje: Ku është avioni i “Malaysia Airlines”? Çfarë ndodhi atje lart? A ka ndonjë mundësi, që të jenë ende gjallë?

“Kemi jetuar në një hotel të vogël për tre muaj. Asnjë informacion nuk kemi marrë përgjatë gjithë kësaj kohe. Nuk ka moment të ditës, që të mos mendojmë për të; si të mos na marrë malli për djalin tonë? Është një torturë e vërtetë, asgjë nuk na hyn në sy”, u shpreh njëri prej familjarëve të viktimave.

Shumica e pasagjerëve në bordin e MH370-s ishin kinezë; disa punëtorë, që kërkonin mundësi më të mira jashtë kufijve, të tjerë pjesëmarrës konferencash apo në rrugëtime biznesi. Disa qenë familje, që ktheheshin nga pushimet.

Pavarësisht operacionit gjigant të kërkimit në brigjet e Australisë apo përdorimit të pajisjeve më të specializuara të zhytjes, nga avioni nuk ka asnjë gjurmë. Të gërryer nga dhimbja, të afërmit kanë krijuar deri edhe forume online, me shpresën të zgjidhin misterin e heshtur.

Ata angazohen në blogje aviacioni, flasin me ekspertë, kërkojnë çdo gjurmë që mund të jetë anashkaluar. Grupi i quajtur “Voice370” ka 300 anëtarë nga vende të ndryshme të globit.

“Më e vështira për ne është të jetojme duke mos e ditur se çfarë ndodhi”, rrëfen për Associated Press, 31-vjeçari Jimmy Ëang, i cili braktisi studimet e masterit në Suedi për t’i qëndruar pranë nënës në Kinë, të shkatërruar nga humbja e djalit tjetër.

Familjarët thonë se nuk ndihmohen nga qeveria, që u kërkon të mjaftohen me kompensimin e të rrinë në shtëpi dhe të presin, ndërsa për ekzekutivin malajzian mendojnë se ka bërë gabim pas gabimi e ka mbajtur të fshehta.

Top Channel