
Më pak se dy javë nga votimet, rezultati i referendumit në Skoci duket tepër i vështirë për t’u parashikuar.
Kampi pro-shkëputjes pretendon epërsi; kundërshtarët këmbëngulin se e kanë fitoren në xhep. sondazhet e fundit i japin sidoqoftë një avantazh të lehtë mbështetësve të mëvetësisë me 51% të preferencave në favor të saj dhe 49% kundër.
Votuesve do t’u kërkohet në 18 shtator t’i përgjigjen me po ose jo pyetjes nëse Skocia duhet të jetë një vend i pavarur. “Sundo Britani, por jo te ne” mund të ishte slogani i lëvizjes skoceze për pavarësi.
Pas një përkatësie më shumë se 300-vjeçare në Mbretërinë e Bashkuar, skocezëve iu lejua votimi në referendum për pavarësinë e tyre.
Marrëveshjen e nënshkruan dy vjet më parë Kryeministri britanik David Cameron dhe shefi i qeverisë rajonale skoceze, Alex Salmond. Por që atëherë, me dëshirën në pavarësi ata nuk ishin të vetmit në Europë.
Shkëputjen prej vendit të origjinës e kanë kërkuar para së gjithash rajonet ekonomikisht të forta: katalanasit e basket, kontribuan në 2012-ën gati çerekun e prodhimit të brendshëm bruto të Spanjës edhe pse përbëjnë më pak se dhjetë për qind të sipërfaqes së vendit.
Veriu i Italisë me Tirolin Jugor dhe rajonin e metropolit Milano, të përgatitur mirë për sfidat e së ardhmes, nuk duan ta bashkëfinancojnë edhe më tej jugun me ekonomi të dobët. E vështirë ishte situata në Belgjikë, ku separatistët flamandë pretendonin gjithmonë e më fort ndarjen nga jugu frankofon.
Krahas arsyeve ekonomike për dëshirën për pavarësi ka dhe shume argumente të tjera, si gjuha, historia e përbashkët apo që mund të cilësohet kulturë në vija të përgjithshme, të cilat shërbejnë për të përkufizuar identitetin individual.
Top Channel