
Vendimi i Barack Obama-s për ta shtyrë veprimin mbi reformën e emigracionit deri në muajin nëntor, kur votohet për kongresin, ka sjellë zhgënjim, zemërim dhe akuza për tentativa shfrytëzimi të çështjes për përfitime politike.
“Jemi thellësisht të zhgënjyer nga presidenti. Si ai, ashtu dhe demokratët e Senatit zgjodhën të vënë politikën përpara popullit”, tha Frank Sharry, drejtor i grupit America’s voice.
Vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë i hedh poshtë akuzat me pretendimin se shtyrja synon të davarisë shqetësimet e kandidatëve demokratë se, lëvizjet e tij mund të dëmtonin perspektivën e tyre në garën e vështirë të Senatit.
Obama nuk e mohoi, megjithatë se politika ka luajtur rol në këtë vendim dhe se beteja e muajit korrik mbi mënyrën sesi do të menaxhohej vërshimi i minorenëve të pashoqëruar nga të rritur në kufi kishte krijuar përshtypjen e një krize të emigracionit, e për pasojë, edhe një klimë jo fort të qëndrueshme për marrjen e masave të premtuara.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se për çdo rast, presidenti ende ka në plan të veprojë para fundit të vitit.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë në mënyrë të paligjshme rreth 11 milionë vetë, ndërsa problemin e rëndon akoma më shumë fluksi në rritje i fëmijëve emigrantë që kalojnë kufirin nga Meksika.
Top Channel