Kërcënohet armëpushimi në Ukrainë

07/09/2014 00:00

250 kilometra nga kufiri me Rusinë, NATO-ja po zhvillon një stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë, lëvizje kjo e konsideruar si demonstrim në praktikë i mbështetjes për vendet balltike që i druhen trilleve ekspansioniste të fqinjit të tyre të madh.

Manovrat po kryhen në afërsi të kryeqytetit letonez, të shoqëruara me avionë, automjete dhe rreth 500 parashutistë amerikanë, kanadezë e italianë.

Në Ukrainë sakaq, armëpushimi i brishtë i së premtes kërcënohet seriozisht nga një valë bombardimesh pranë Mariupolit. Mbrëmjen e së shtunës, në skajet e qytetit-port pati shpërthime të forta e luftime që u ndërprenë natën vonë për të rinisur në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Për rebelët, Mariupoli, ky qytet strategjik në rrugën që çon drejt Krimesë dhe një ndër më të rëndësishmit e rajonit, do të ishte një trofe i rëndësishëm për t’u marrë nga duart e forcave të Kievit. Vetëm një ditë më parë krerët e shteteve ukrainas e rus deklaruan se në vija të përgjithshme pushi-zjarri po mbante. Ai u firmos në Bjellorusi mes përfaqësuesve të Kievit, Moskës, OSBE-së e rebelëve pro-rusë e hyri në fuqi të premten.

24 orët e para nuk pati raporte për luftime në lindje, por kjo nuk zgjati shumë dhe mbrëmjen e së shtunës bombardimet rifilluan. Postblloku qeveritar në hyrjen lindore të qytetit thuhet se është shkatërruar tërësisht.

Luftimet në lindjen e Ukrainës nisën me marrjen e Donjeckut dhe Luhanskut prej separatistëve në prill, vetëm një muaj pasi Moska aneksoi gadishullin e Krimesë. 2.600 vetë kanë humbur jetën deri tani dhe në raportin e saj më të fundit, organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International i akuzoi të gjitha palët e përfshira në konflikt për krime lufte. Për trupat qeveritare pretendon se kanë bombarduar lagje të banuara pa dallim, ndërsa për rebelët thotë se kanë rrëmbyer, torturuar e vrarë fqinjët e tyre.

Top Channel