Uells, 31 të arrestuar gjatë samitit

06/09/2014 00:00

Plotë 31 persona u arrestuan gjatë zhvillimit të samitit të NATO-s në Uells, për shkak të trazirave që u verifikuan gjatë evenimentit.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet britanike, sipas të cilave arrestimet u kryen për sulme ndaj forcave të policisë dhe armëmbajtje pa leje.

Rreth 9.500 policë u mblodhën nga mbarë Mbretëria e Bashkuar për të ruajtur sigurinë përgjatë gjithë javës, ndonëse samiti u zhvillua vetëm në dy ditë.

“Ky ishte një nga operacionet më të gjera të sigurisë që është ndërmarrë ndonjëherë në Britaninë e Madhe, me mijëra oficerë dhe staf të forcave të policisë të mbledhur nga çdo cep”, deklaroi komandanti i operacioneve speciale, Chris Armitt.

Gjithashtu, zyrtari i lartë falenderoi banorët e Uellsit, sidomos ata në jug, për bashkëpunimin e ofruar gjatë zhvillimit të samitit. “Mbështetja e tyre ishte shumë e rëndësishme dhe na ndihmoi në arritjen e suksesit të operacionit”, tha Armitt.

Sipas oficerit, 12 nga 31 të arrestuarit u prangosën të enjten, ditë kur u zhvilluan dhe dy protesta anti-NATO në Njuport dhe Kardif, por që në të cilat morën pjesë pak njerëz.

Edhe forcat e policisë të vendosur jashtë Uellsit kryen 64 arrestime, që gjithësesi nuk kishin të bënin me evenimentin, por për shkaktim trazirash të vogla.

Top Channel