Rusia: Do reagojmë ndaj sanksioneve të reja

06/09/2014 00:00

Ministria e Jashtme ruse ka reaguar të shtunën duke theksuar angazhimin për të reaguar, nëse Bashkimi Europian implementon sanksionet e reja kundër Moskës, për shkak të rolit të saj në krizën e Ukrainës.

BE njoftoi masa shtesë mbrëmjen e së premtes, por tha se ato do të mund të pezulloheshin, nëse Moska tërheq trupat e saj nga Ukraina dhe vëzhgon me kujdes armëpushimin e arritur së fundmi në Lindje të Ukrainës.

Sanksionet e reja përfshijnë shtimin e 24 personave të tjerë në listën e atyre që u ndalohet hyrja në vendet e bllokut 28-anëtarësh, gjithashtu edhe ngrirje të aseteve të tyre financiare. Këto masa priten të implementohen gjatë së hënës.

“Nëse ato implementohen, sigurisht që do të ketë edhe reagim nga ana jonë”, thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.

Orët e vona të së premtes, BE hartoi sanksione të reja ndaj Rusisë. Ndër ndikimet e para janë vështirësitë për firmat e kontrolluara nga shteti rus për të rritur financimet e tyre në BE. Diplomatët presin që ato të godasin, mes të tjerave, kompaninë e naftës “Rosneft” dhe njësi të “Gazpromit”, edhe pse jo vet firmën e gazit, një prej furnizuesve kryesorë të BE-së.

“Ambasadorët ranë dakord mbi pakon e re të sanksioneve ndaj këtyre personave dhe sektorëve të ekonomisë ruse”, tha një diplomat i BE-së i përfshirë në këto bisedime, për Reuters. “Implementimi i tyre pritet të nisë të hënën”, tha ai. “Armëpushimi duhet të jetë i vijueshëm, në mënyrë që këto sanksione të pezullohen”.

Më herët, diplomatët kishin folur mbi shtyrjen e mundshme të sanksioneve, për të hyrë në fuqi të paktën 1 javë më vonë, për t’i dhënë Presidentit Vladimir Putin mundësinë të tregojë se e ka zgjidhur konfliktin. Por, paqartësia me ambiciet e Rusisë në konfliktin e Ukrainës ka fituar.

Top Channel