Putin-Poroshenko: Armëpushimi funksionon

06/09/2014 00:00

Presidentët e Ukrainës dhe Rusisë kanë pranuar të dy se armëpushimi në lindje të Ukrainës po funksionon gjerësisht.

Poroshenko dhe homologu Vladimir Putin zhvilluan një bisedë telefonike për të diskutuar hapat për ta bërë armëpushimin sa më afatgjatë.

Komentet e tyre erdhën pavarësisht raportimeve për të shtëna nga të dyja palët, si rebelët pro-rusë ashtu dhe nga trupat qeveritare ukrainase.

Përmes një deklarate, Poroshenko bëri të ditur se bashkë me homologun rus kishin theksuar nevojën për “më shumë përfshirje” të OSBE-së në monitorimin e armëpushimit.

Dy liderët gjithashtu diskutuan për mënyrat e bashkëpunimit me qëllim shpërndarjen e ndihmave humanitare në rajon. Ndërsa Putin, në deklaratën e tij, bëri me dije se me zotin Poroshenko ranë dakord për të vazhduar dialogun.

Marrëveshja për armëpushimin u nënshkrua gjatë bisedimeve mes përfaqësuesve të Kievit, Moskës dhe OSBE-së në Minsk të Biellorusisë.

Ajo hyri në fuqi ditën e premte dhe deri në mbrëmjen e së shtunës nuk është raportuar për luftime të rënda. Megjithatë, po të premten, Rusia paralajmëroi se sanksionet e reja të vendosura ndaj saj nga Perëndimi mund të ndikojnë në armëpushim.

Sanksionet në fjalë, kryesisht nga Bashkimi Evropian, godasin më tepër individë rusë dhe do të prezantohen të hënën. Por ato mund të tërhiqen nëse Rusia tërheq trupat e saj nga lindja e Ukrainës dhe i qëndron paktit të armëpushimit.

Top Channel