
Dy nga figurat kryesore politike të vendit, Ilir Meta në mazhorancë dhe Lulzim Basha në opozitë nuk iu shmangën inetresit të gazetarëve për të komentuar arrestimin e guvernatorit dhe inspektores së përgjithshme të Bankës së Shqipërisë. Të dy përmendën drejtësinë, por jo dhe aq në mënyrë të ngjashme.
“Qëndrimi im ka qenë edhe mbetet i pandryshuar lidhur me skandalin, i cili ka të bëjë me vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, që do të thotë mbështetje Prokurorisë dhe gjyqësorit për të hetuar deri në fund këtë skandal dhe për të vendosur të gjithë pikat mbi “i” dhe natyrisht ne do të respektojmë vendimet e drejtësisë”, deklaroi Meta.
“Çështjet e drejtësisë janë çështjet e drejtësisë dhe do të mbeten çështjet e drejtësisë. Politika nuk duhet të influencojë në kete proces, as nuk duhet ta motivojë këtë proces, por duhet ta ndjekë me përgjegjësi të madhe, pasi interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve kërkojnë që ky proces të ketë transparencë maksimale dhe një drejtësi të pandikuar”, tha nga ana tjetër Basha.
Kreu i opozitës shprehu indirekt shqetësimin edhe për atë se çfarë mud të ndodhë në të ardhmen me Bankën e Shqipërisë pas arrestimit për shpërdorim detyre të guvernatorit dhe inspektores së përgjithshme të Bankës së Shqipërisë.
“Një drejtësi të pandikuar dhe veçanërisht një proces të pamotivuar nga frymëzimi oligark i dyshes Rama-Meta për të kapur gjithë pushtetet dhe për të vënë nën kontroll politikën monetare shqiptare, e cila do të kishte pasoja katastrofike për vendin dhe qytetarët shqiptarë”, theksoi Basha.
Por kryetari i Kuendit, Ilir Meta, njëri nga ata që kreu i opozitës e përmend si oligark, u përjgij me qetësi kur u pyet, nëse Kuvendi do ta shkarkojë guverntorin e Bankës së Shqipërisë.
“Mazhoranca do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet gjithmonë dhe mazhoranca gjithmonë do të punojë për të konsoliduar pavarësisë e Bankës së Shqipërisë dhe për të rritur integritetin dhe besueshmërinë e saj dhe do të bashkëpunojë gjithmonë ngushtë për këtë qëllim edhe me partnerët tanë kryesore ndërkombëtarë, si me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me Bankën Botërore dhe natyrisht edhe me Komisionin Europian”, tha Meta.
Top Channel