Devijoi në Iran, ulet i sigurt në Dubai

06/09/2014 00:00

Një avion çarter, me rreth 100 amerikanë në bord, i nisur nga baza ajrore amerikane në Bagram të Afganistanit, është ulur në mënyrë të sigurt në Dubai, pasi kishte devijuar drejt Iranit për shkak të problemeve me planin e fluturimit, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit, të premten.

Avioni i “Fly Dubai” u ngrit më herët nga Bandar Abbas, Iran, pasi ishte ridrejtuar për atje. Një zyrtar amerikan tha se avioni kishte dështuar të përditësonte planin e fluturimit, pasi të linte Bagramin drejt Dubait, disa orë më vonë.

Kur zyrtarët e Aviacionit Civil iranian identifikuan aeroplanin, ata nuk mundën ta gjenin atë në sistemin e tyre, sepse supozohej që ai të kishte fluturuar mbi Iran disa orë më parë, tha zyrtari.

Zyrtarët iranianë kërkuan fillimisht që ai të kthehej mbrapsht dhe të ulej në Bandar Abbas, por iu raportua se nuk kishte mjaftueshëm karburant për t’u rikthyer në Afganistan, tha zyrtari.

Në një deklaratë, ku thuhej se avioni u ul në Dubai, zëdhënësja e DASH Marie Harf tha se ndryshe nga disa raportime në media, “asnjë avion iranian nuk ishte përfshirë në këtë situatë”.

“Ne vlerësojmë përpjekjet e të gjitha palëve për të ndihmuar pasagjerët, që të shkonin të sigurt në destinacion”, shtoi ajo.

Uashingtoni dhe Teherani kanë pasur marrëdhënie të tendosura për dekada të tëra. Shtetet e Bashkuara ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Iranin në Prill të vitit 1980, 5 muaj pasi studentët iranianë pushtuan Ambasadën amerikane në Teheran dhe morën pengje shtetasit amerikanë.

52 amerikanë u mbajtën peng për 444 ditë. Dy vendet janë tashmë në debate e sipër mbi programin bërthamor të Iranit, që Uashingtoni e dyshon se po zhvillohet për të ndërtuar një armë bërthamore, ndërsa Irani thotë se është vetëm për qëllime civile.

Top Channel