
Qeveria ukrainase dhe rebelët pro-rusë kanë nënshkruar një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftimeve thuajse pesëmujore.
Të dyja palët, që janë takuar në kryeqytetin bjellorus Minsk, ranë dakord të ndalonin përdorimin e armëve. Megjithatë, rebelët deklaruan se marrëveshja nuk e ka ndryshuar politikën e tyre për të kërkuar shkëputjen nga Ukraina.
Ndërkohë, NATO ka rënë dakord që të formojë një forcë shumëkombëshe të ndërhyrjes së shpejtë, në gjendje për t’u aktivizuar brenda 48 orëve.
Mbi 2.600 persona kanë humbur jetën që kur rebelët bastisën qytetet lindore të Ukrainës. Pushtimi i qyteteve solli reagimin e forcave ushtarake të Kievit për të rimarrë nën kontroll zonat.
Rebelët, që kryesisht janë zmbrapsur në bastionet e tyre të Donetskut dhe Luhanskut, bënë avancime të reja në ditët e fundit.
Luftimet vazhduan edhe të premten përreth Mariupolit, një qytet bregdetar rreth 110 kilometra në jug të Donetskut. I dërguari i BBC në këtë lokalitet bëri me dije se të shtënat mund të dëgjoheshin pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit.
Më herët gjatë ditës, rebelët raportohet se goditën rëndë forcat ukrainase dhe re të gjera tymi mund të shiheshin teksa trupat e Kievit përgjigjeshin me artiljeri dhe avionë, thotë gazetari.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se tre shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Donetsk pasi armëpushimi hyri në fuqi, por më vonë burime të tjera thanë se luftimet ishin reduktuar.
Perëndimi e akuzon Rusinë se dërgon armë dhe trupa paraushtarake shtesë për të mbështetur rebelët në lindje të Ukrainës, akuza që vazhdimisht mohohen nga Moska.
Top Channel