
Imazhi i Presidentit të republikës ka marrë një goditje të fortë nga libri i ish-partneres Valerie Trierëeiler. Popullariteti i Francois Hollande zbriti në minimumin historik, 13%.
Qendra e djathtë, e gjunjëzuar prej skandaleve, rrëshqet mes rrymash të ndryshme, qendra e majtë në pushtet mbetet e përçarë; ndërkohë papunësia në vend sa vjen e rritet.
Kthimi nga pushimet nuk mund të ishte më i mirë për lideren e Frontit Nacional në Francë, Marine le Pen, që shprehet e gatshme të marrë në dorë frerët e vendit.
46-vjeçarja në krye të partisë së themeluar nga i ati, që në zgjedhjet për Parlamentin Europian në muajin Maj rezultoi më e votuara në vend, e cilësoi librin e ish-damës së parë të Francës si një konkurs paturpësie, një çnderim që i bëhet Francës si nga autorja, ashtu edhe nga protagonisti i tij.
As që kam ndërmend ta lexoj, – është shprehur Le Pen, duke shtuar ndërkohë se Hollande, ashtu si paraardhësi Sarkozy, me sjelljet e tyre kanë diskredituar institucionet.
Sipas Le Penit, funksioni i Presidentit e ka marrë prej kohësh të tatëpjetën, por tani është momenti për një rikthim te nderi dhe respektimi i tij.
Franca, vazhdon udhëheqësja e ekstremit të djathtë, gjendet përballë një krize të thellë ekonomike, sociale e, së fundi, edhe politike.
Presidenti Hollande ka humbur besimin e votuesve dhe vetë mazhorancës së tij, ndaj zgjidhja e vetme demokratike në këtë situatë mbetet shpërbërja e Asamblesë Kombëtare dhe kthimi në qendrat e votimit për zgjedhjen e deputetëve të rinj.
Përballë një krize të trefishtë si kjo, në të cilën gjendemi ne sot, – shton ajo, – ka vetëm një rrugëdalje: T’i rijepet popullit mundësia që të thotë fjalën e vet.
Sa për kundërshtarin që do të preferonte përballë, ai është Sarkozy, ndërsa Hollande-n nuk e përmend fare. Sarkozy për Le Penin do të ishte rivali ideal. Por, tashmë i përket së kaluarës e nuk do të kthehet më, thotë 46-vjeçarja, për më tepër që ka dhe ca llogari të hapura me gjykatësit, të cilat duhet t’i sqarojë.
Top Channel