Obama: Do të shkatërrojmë ISIS

05/09/2014 00:00

Vendimet e samitit të NATO-s mendohet t’i japin një frymë të re rendit dhe sigurisë botërore. Presidenti amerikan Barack Obama foli në fund të takimit dyditor në Uells për dy çështjet më të rëndësishme: krizën e Ukrainës dhe përballjen me ekstremistët e ISIS.

“Ne do të fokusohemi tek problemet që shqetësojnë gjithë botën, si çështja e Ukrainës dhe grupi terrorist ISIS, ku të dy konfliktet gjenerojnë luftë dhe ajo që ne do bëjmë është ta ndalim atë. Sigurisht që kjo do kohën e duhur që të mos gabojmë dhe do të fokusohemi në kapacitetet që ata kanë për t’u siguruar se do t’i mundim. Ne do t’i ndihmojmë forcat vendase në Irak dhe kurdët e Peshmergas me përforcime nga ajri, por duam të kemi bashkëpunim me ta që të fokusojmë objektivin e caktuar për shkatërrimin e ISIS. Përpos pjesës ajrore ne do të krijojmë forca tokësore dhe po punojmë me hapa që mos të nxitohemi, por theksoj se qëllimi ynë është të shkatërrojmë ISIS, sikurse kemi bërë më herët dhe me Al Kaedën, ku dhe sot konfirmojmë që arritëm të vrisnim kreun e grupit Al Shabab të Somalisë”, deklaroi Obama.

Më herët, në një deklaratë të përbashkët, sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet kundër terrorizmit. Ata thanë se ISIS paraqet një kërcënim serioz jo vetëm në Irak, por në të gjithë rajonin dhe mbarë botën.

Ata shtuan se nuk ka kohë për të humbur në ndërtimin e një koalicioni të gjerë për të shkatërruar kërcënimin e paraqitur nga terrorizmi. Në të njëjtën linjë mendimi ishte dhe kreu i ekzekutivit britanik.

“Sot përballemi dhe rreziqe të reja e në zhvillim. Nga lindja, Rusia që shkel çdo rregull me aneksimin e Krimesë dhe trupat e veta në territorin sovran të Ukrainës. Në jug, një hark paqëndrueshmërie shtrihet nga Afrika e Veriut deri në Lindjen e Mesme. Dje e diskutuam rrezikun e ISIS-it në Irak e Siri, ndaj mesazhi ynë është i qartë: jemi të bashkuar në dënimin e akteve barbare. Këta terroristë duhet ta kenë të qartë se kërcënimet e tyre do të ndeshen me vullnetin tonë për t’i mposhtur e për të mbrojtur vlerat që ruajmë”, tha David Cameron.

Ndërsa për shefin e aleancës ushtarake, të gjitha vendet anëtare të saj i lidh detyrimi të mbrojnë njëri-tjetrin. “Të 28 shtetet që përbëjnë NATO-n janë të bashkuara në angazhimin ndaj tri vlerave kryesore: lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Jemi gjithashtu të lidhur nga zotimi i patjetërsueshëm për të mbrojtur njëri-tjetrin në rast sulmi. Një për të gjithë dhe të gjithë për një. Europa dhe Amerika e Veriut bashkë. Ky është thelbi i kësaj Aleance”, deklaroi Rasmussen.

Udhëheqësit e NATO-s miratuan krijimin e një force të ndërhyrjes së shpejtë, e aftë të reagojë me shpejtësi ndaj kërcënimeve që mund t’u vijnë vendeve anëtare të Aleancës kudo në botë.

Top Channel