Mbyllet samiti i Uellsit

05/09/2014 00:00

Dita e dytë e takimit më të rëndësishëm të NATO-s prej dekadash të tëra nisi me apelet e sekretarit të përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen dhe mikpritësit të eventit, kryeministrit britanik David Cameron për më shumë unitet përballë kërcënimeve në rritje nga pjesë të ndryshme të globit.

Për shefin e aleancës ushtarake, të gjitha vendet anëtare të saj i lidh detyrimi të mbrojnë njëri-tjetrin. “Të 28 shtetet që përbëjnë NATO-n janë të bashkuara në angazhimin ndaj tri vlerave kryesore: lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Jemi gjithashtu të lidhur nga zotimi i patjetërsueshëm për të mbrojtur njëri-tjetrin në rast sulmi. Një për të gjithë dhe të gjithë për një. Europa dhe Amerika e Veriut bashkë. Ky është thelbi i kësaj Aleance”, deklaroi Rasmussen.

Në të njëjtën linjë mendimi ishte dhe kreu i ekzekutivit britanik. “Sot përballemi dhe rreziqe të reja e në zhvillim. Nga lindja, Rusia që shkel çdo rregull me aneksimin e Krimesë dhe trupat e veta në territorin sovran të Ukrainës. Në jug, një hark paqëndrueshmërie shtrihet nga Afrika e Veriut deri në Lindjen e Mesme. Dje e diskutuam rrezikun e ISIS-it në Irak e Siri, ndaj mesazhi ynë është i qartë: jemi të bashkuar në dënimin e akteve barbare. Këta terroristë duhet ta kenë të qartë se kërcënimet e tyre do të ndeshen me vullnetin tonë për t’i mposhtur e për të mbrojtur vlerat që ruajmë”, tha David Cameron.

Dita e parë e samitit u mbyll me shpresën e një armëpushimi në Ukrainë, të përforcuar nga pohimet e presidentit Petro Poroshenko se mund të arrihet një marrëveshje me Rusinë për fundin e luftimeve në lindje të vendit.

Bisedime të reja mes përfaqësuesve të Kievit, Moskës dhe rebelëve pro-rusë do të mbahen këtë pasdite në Bjellorusi. Por ndërsa diplomacia përpiqet të gjejë një zgjidhje të ngërçit, trazirat në terren vazhdojnë me raportet për një valë bombardimesh në afërsi të qytetit-port të Mariupolit.

Top Channel