
Ish-guvernatori i Virxhinias Bob McDonnell dhe bashkëshortja e tij u shpallën fajtorë për korrupsion nga një gjykatë vendore e rrezikojnë dënimin me disa dekada burg.
Dana Boente, prokurore për distriktin lindor të Virxhinias, tha: “Shërbimi publik kërkon shpeshherë sakrifica dhe pothuajse gjithmonë ato janë të karakterit financiar. Kur zyrtarët publikë nxjerrin përfitime monetare nga veprimet e tyre, atëherë neve nuk ka mbetet zgjidhje tjetër përveçse t’i çojmë në bankën e të akuzuarve.”
McDonnell u shpall fajtor për 11 akuza korrupsioni, pasi kishte pranuar rroba luksoze dhe udhëtime në këmbim të promovimit të një kompanie farmaceutike për prodhimin e vitaminave. Bashkëshortja u gjet fajtore për 9 akuza të ngjashme. Pas daljes nga salla e gjyqit, ish-guvernatori dha veçse një deklaratë shumë të shkurtër: “Gjithë çfarë mund të them është se besimi im është tek Zoti, faleminderit…”
Dikur një yll në rritje i Partisë Republikane, McDonnell u zgjodh guvernator i Virxhinias në 2010 dhe qëndroi në atë post deri janarin e këtij viti, kur ndaj tij u ngrit akt-padia. 60-vjeçari dhe gruaja e tij Maureen kanë pranuar ryshfete me vlerën e 177 mijë dollarëve nga ekzekutivi i uzinës farmaceutike Jonnie Williams. Mes dhuratave janë një fustan që kushton 11 mijë dollarë i firmës Oscar de la Renta dhe një tjetër prej rreth 6 mijë dollarësh i firmës Louis Vuitton.
Biznesmeni Williams, sipas VOA-s, po ashtu i kishte dhënë politikanit të pandershëm një orë të markës Rolex, ku ishin gdhendur fjalët “guvernatori i 71-të i Virxhinias.” McDonnell e pagoi një pjesë të shumës, por kjo nuk i pengoi prokurorët ta vazhdonin procesin e filluar ndaj tij.
Top Channel