Samiti i NATO-s në Uells

04/09/2014 00:00

Udhëheqësit botëror kanë mbërritur në Britani për të marrë pjesë në samitin dy ditorë të NATO-s që zhvillohet në New Port të Uellsit. Udhëheqësit e 61 vendeve dhe shefa qeverish dhe ministra, rreth 150 syresh, do të mblidhen në resortin Celtic Manor, ku do të diskutojnë që nga Ukraina dhe deri tek opsionet për të mposhtur militantët e shtetit islamik.

Udhëheqësve të NATO-s do t’i bashkon zyrtarisht edhe zyrtarë të BE-së, OKB-së, FMN-së dhe Bankës Botërore. Ndërkohë, Britania është angazhuar në operacionin më të madh policorë dhe të sigurisë në historinë e saj.

Duke folur në Downing Street, në prag të samitit, mikpritësi i tij Kryeministri David Cameron ka dënuar dhunën e vazhdueshme në Ukrainë, duke e cilësuar të turpshme dhe të pa pranueshme.

Kryeministri britanik tha se konferenca e Uellsit të demonstronte një mesazh të qartë, të unifikuar dhe të fuqishëm për rëndësinë globale të NATO-s.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen tha se aleanca do të krijojë një forcë të gatishmërisë së lartë në Europën Lindore si mburojë ndaj një agresioni potencial të Rusisë. Bëhet fjalë për një forcë, e cila do të dislokohet brenda një kohe shumë të shkurtër për të ndihmuar vendet e NATO-s ndaj çdo kërcënimi.

Në samitin e NATO-s pritet që Britania dhe SHBA-ja të diskutojnë edhe për opsionet, përfshirë edhe ato të sulmeve ajrore ndaj militantëve të ISIS që kanë ekzekutuar dy gazetarë amerikanë deri tani dhe që kërcënojnë të ekzekutojnë dhe një peng britanik.

Në këtë samit do të kërkohet edhe rritja e shpenzimeve ushtarake. Ndërkohë që britanikët njoftuan një ditë para samitit firmosjen e një kontrate prej 3.5 miliardë sterlinash për një gjeneratë të re autoblindash ushtarake të gatshme për fushëbetejë në 2017-ën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB