Samiti i NATO-s, i cili do të mbahet në Uells, do të mbledh së bashku liderët botërorë dhe çështja e sigurisë në mbarëvajtjen e takimit të tyre, zë një vend kryesor për organizatorët, pasi është një tubim historik, i cili do të mbahet në një sfond frikshëm të krizës ndërkombëtare.
Sipas analistëve dy janë çështjet kryesore që presin të marrin drejtim në këtë mbledhje, ajo e krizës së Ukrainës dhe çështja e grupit islamik ISIS në Lindjen e Mesme.
Në këto bisedime Barack Obama është i ftuar nderi sepse është hera e parë që një president amerikan, viziton Uellsin.
Ndër të tjerë, në samitin dy-ditor do të marrin pjesë rreth gjashtëdhjetë liderë botërorë, 70 shefa të mbrojtjes, 4.000 delegatë dhe deri në 1,500 media ndërkombëtare.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e konsideron këtë si “grumbullimin më të madh të udhëheqësve ndërkombëtarë të mbledhur ndonjëherë në Britani”.
Kjo ngjarje, e cilësuar si historike ka angazhuar rreth 9.500 oficerë policie që do të jenë në gatishmëri, por krahas impenjimeve zyrtare, udhëheqësit do të kenë dhe një axhendë tjetër kulturore.
Darka e tyre do të mbahet në kalanë e Cardiff dhe kuzhinier qendror është përzgjedhur Welsh Stephen Terry me një karrierë të gjatë si shef kuzhine. Sipas ekspertëve, ky samit shërben dhe si një reklamë e mirë për sektorin e turizmit të Uellsit.
Top Channel