Arben Manaj – Me siguri, edhe ma kanë kthyer të sharën, përmes gjesteve dhe pas gjesteve të mia në kësi rastesh makthi. Kam sharë ndërkohë që ngisja makinën nëpër rrugët e Shqipërisë.
Kam shkruar edhe njëherë tjetër se sa stresuese është dhënia e makinës në Shqipëri dhe se sa me fat je, që ke mbijetuar, kur në fund të qëndrimit atje, e mbyll makinën për ta rindezur kushedi pas disa kohësh.
Nëse ka gjë që tregon se nuk je në Europë, sa herë përdor rrugët e Shqipërisë, më shumë se çdo tregues tjetër, është mënyra se si shqiptarët u japin makinave.
Vetëm kur ecën nëpër rrugët shqiptare e kupton se sa pak vlerë ka jeta jote përballë çmendurisë dhe arrogancës vdekjeprurëse të tjetrit, që me një guxim prej të marri vozit aq rrezikshëm pa e llogaritur jetën e vet, a thua se psikika e tyre është po aq inekzistente sa e një pule.
Padurimi është një nga tiparet më dalluese të përdoruesve shqiptarë të automjeteve. A thua se të gjithë, nga mënyra se si ecin dhe nxitojnë, do të humbasin ndonjë takim shumë të rëndësishëm biznesi apo ndonjë videokonferencë me ndonjë person shumë të rëndësishëm, e ku do të humbasin miliona nga mosqenia në kohë në atë destinacion imagjinar.
Dhe ajo që të shokon, është se çdo parakalim prej Hamiltoni, rezulton ose në një parkim diku njëqind metra më poshtë apo ngecje në trafik, ku nuk humbet jo më shumë se disa sekonda kohë, në rastin më fatlum, kur rrezikojnë aq shumë për veten e vet dhe jetën e të tjerëve.
E ndërsa me gëzim shikon nëpër rrugët shqiptare përpjekje të shtuara për një sinjalistikë më të mirë apo angazhim për më shumë drita fosforeshente në mungesë të ndriçimit nga sipër, sërish janë të shumta daljet dhe hapësirat nëpër autostrada, si burim potencial aksidentesh.
Madje edhe në “Rrugën e Kombit”, si në Milot apo në Kukës, shikon për dallim nga pjesa kosovare e autostradës, dalje dhe të çara në muret mbrojtëse të autostradës, prej nga këmbësorët futen në autostradë. Madje edhe qentë e rrugëve mund t’i hasje në pjesën e autostradës në periferi të Kukësit, dhe imagjinoni se çfarë mund të mendonin ata të huaj, serbë, kroatë a polakë, që udhëtonin nëpër rrugët shqiptare, nga skena të tilla.
Një dëlir i pashpjegueshëm për të zëvendësuar Shumaherin, e pleksur me zakone të këqija të fituara nga marrjet e papërgjegjshme të patentave apo mospasja edhe fare e tyre, duket se janë ndër shkaqet se, përse kaq shumë aksidente dhe vdekje ndodhin në Shqipëri.
Nuk po flas për mungesën e xhentilesës dhe mirësjelljes, ku askush nuk të hap rrugën, por të gjithë (dhe ti kur je në ambient të tillë infektohesh dhe dorëzohesh dhe bën si ata) përpiqen, kush e kush të fusë turirin e makinës, kur me një sinjal apo me dorë mund të të lëshojë paksa rrugë dhe radhë. Në botë jo. Burra dhe gra, djem e femra të pispillosura, njësoj.
E ndërsa në Tiranë ka gjithnjë e më shumë drita trafiku dhe një prani shumë të ndjeshme të policisë nëpër rrugë, gjë për të cilën ministri Tahiri do përgëzuar, kam frikë se kjo punë nuk disiplinohet vetëm me policë nëpër rrugë.
Lipset patjetër shtimi i kamerave të shpejtësisë nëpër rrugët dhe autostradat e Shqipërisë. E gjobat, edhe përpos vështirësive të adresave shqiptare, shumë mirë mund të paguhen kur bëhen kontrollet vjetore teknike, e pa u bërë pagesa e gjobave nga kamerat për kundërvajtje, të mos bëhet kontrolli teknik, pa folur për ndalime dhe kontrolle të herëpashershme të makinave nga policia rrugore për mospagim gjobash.
Por, përveç kamerave, e kam thënë edhe diku tjetër, mendoj se mund të jetë më efektive që policia të patrullojë jo me makina me shenja policie, por me makina civile dhe me kamera në to, sa herë shikon veprime të rrezikshme shoferësh e t’i ndalojë dhe t’i gjobisë në vend.
Kjo padyshim do shoqëruar edhe me fushatë sensibilizuese në media, por edhe me ekipe televizive që njerëzit ta shikojnë se makina civile pas ose përpara tyre, mund të jetë e policisë e mund të marrësh gjobën ose të të fluturojë patenta kur ecën e parakalon si i marrë, duke marrë më qafë të tjerët, se për veten këta kokëtallash dukshëm, as nuk mendojnë.
Një forcim akoma më i madh i kontrollit të autoshkollave është domosdoshmëri jetike, pasi ato kanë përgjegjësi të madhe morale, pse jo edhe penale, për humbje jetësh njerëzore, për shkak të papërgjegjshmërisë së tyre apo edhe korrupsionit të përfolur.
Dhe në mbyllje, që të më kuptoni përse kam sharë aq shumë, meqë jemi tek autoshkollat, ndërkohë që kthehesha në banesë, dikur sipër Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, rrugës për nga Pallati i Brigadave, ku është bërë një nënkalim nën rrugën e re të asfaltuar, për të shkuar nga Vilat Gjermane, një nënkalim njëkalimësh, në kundërvajtje dhe në një hapësirë ku mezi kalojnë dy makina, pasi është konceptuar për një, përballë meje dhe në kundërvajtje nuk ishte një makinë e zakonshme, por një autoshkollë, që po mësonte një drejtues të ri automjeti!
Hë më thoni, a nuk të vjen të shash në këtë rast dhe të ikësh natën nga ai vend, që fatkeqmirësisht është vendi ynë?!
Top Channel