Andrea Stefani – Lulzim Basha bëri një deklaratë për mediat për të justifikuar bojkotin nga PD të punimeve të Kuvendit.
Dhe foli e foli për “shkakun” e këtij bojkoti, që qenka instalimi në qeveri e një oligarkie me në krye oligarkun Edi Rama. Por në fund të deklarimit nisi të përmendë edhe kushtet që PD u paraqiste këtyre “oligarkëve” në mënyrë që të kthehej në Kuvend, duke i dhënë fund bojkotit. Dikush nga gazetarët zbuloi një kundërthënie logjike në deklaratën e Bashës, prandaj e pyeti: Ju shpresoni se oligarkët mund të bëhen demokratë? Basha u step për një moment dhe pastaj rrotulloi disa fjalë klishe mbi “nevojën e ruajtjes së parlamentarizmit”. Por ishte vonë. Kontradikta në deklaratën e tij kish dalë në shesh: Nëse vërtet shteti është pushtuar nga një oligarki, atëherë nuk mund të ketë shpresa që oligarkët të heqin dorë nga sundimi. Vetë deklarimi i Bashës dëshmon se edhe ai vetë nuk i beson ato që thotë mbi oligarkun dhe oligarkinë, ndërsa ne na jep të kuptojmë se kemi të bëjmë me një skenar të stërvjetër, të zbatuar nga Berisha sa herë kalon në opozitë, skenar që Basha po e zbaton me besnikëri prej roboti. Pra, pa asnjë kreativitet.
***
Edhe kur kaloi në opozitë në vitin 1997, Berisha akuzoi se në Shqipëri qe rivendosur sundimi komunist, që ai e kish përmbysur ca vite më parë një herë e përgjithmonë. Me këtë pretekst fals ai bojkotoi parlamentin për një kohë të gjatë. Brenda kornizës së kësaj shpifjeje ai organizoi edhe grushtin e armatosur të shtetit të shtatorit 1998. Pra sa herë Berisha bie nga kali, në pushtet vjen gjëma, e keqja më e madhe për Atdheun, diktatura, oligarkia dhe dreqi me brirë. Vetëm po të jetë Berisha në qeveri, në pushtet është më e mira e mundshme për Shqipërinë. Ky është reagimi më i natyrshëm i një autokrati, që e ka pushtetin obsesion dhe nuk mund të jetojë pa të. Prandaj nuk e zë gjumi të prodhojë “argumente”, pretekste, “shkaqe” që ta shporrë pushtetin rival me çdo mjet, qoftë edhe me një grusht shteti si ai famëkeqi i 14 shtatorit. Prandaj e anatemon qeverinë “Rama” si oligarkike, vetë dhe me gojën e pupacit të tij, Bashës. Kjo taktikë e bazuar mbi shpifjen ka qenë tipike e autokratëve dhe diktatorëve. Hitleri zhduku opozitën, duke i vënë vetë flakën Rajhshtagut. Enver Hoxha duke e akuzuar, në një rast, se hodhi bomba mbi ambasadën sovjetike. Shpif që të justifikosh të keqen që po përgatit, agresionin kundër një qeverie të zgjedhur me votë masive. Kjo është taktika që po ndjek Berisha dhe kuptohet, edhe Basha.
***
Është një taktikë që ka pak shanse të ketë sukses në një kohë kur “oligarkët” e Tiranës po perceptohen gjithnjë e më fort, siç e tregoi edhe konferenca për Ballkanin në Berlin, si partnerë për europianizimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në BE. Edhe oligarkë edhe të besueshëm për Perëndimin dhe europianizimin?! Kjo është një kontradiktë që vështirë se Berisha dhe Basha i japin dot përgjigje. Por ndërkaq ka argumente edhe më fondamentale që hedhin poshtë pretendimet e PD dhe Berishës (sepse Basha është vetëm gjuha, por jo truri i PD). Ato kanë të bëjnë me logjikën, e cila është më e patundur se faktet. Konkretisht, me oligarki kuptojmë grumbullim pushteti në duart e një grupi njerëzish a të një klase. Vështirë se Edi Rama ta ketë arritur një gjë të tillë brenda më pak se një viti, kur shihet qartë se një numër pushtetesh dhe institucionesh me peshë në shtet janë ende në duart e Berishës dhe besnikëve të tij. Një institucion i tillë është ai i Presidentit të Republikës, që po zbaton pikë për pikë direktivat e Berishës. Dhe si mund të ketë oligarki në një shtet ku kreu i shtetit nuk është pjesë e kësaj oligarkie? Si mund të ketë oligarki në një shtet ku pushteti i drejtësisë nuk është në duart e kësaj oligarkie? Vetë Basha deklaron se Gjykata Kushtetuese ka disa raste kur ka hedhur poshtë vendime të qeverisë. Atëherë si, oligarkë të plotfuqishëm që thyejnë hundët në aulat e gjykatave?!
***
Po ta shqyrtojmë problemin nga këndvështrimi i pushtetit absolut, konstatojmë se situata më perfekte për oligarki, pra për pushtet absolut të një grushti njerëzish në qeveri, ka ekzistuar në vitet e qeverisjes së Berishës. Përballë Berishës kryeministër nuk ekzistonte asnjë pushtet realisht me peshë, që t’i kundërvihej me sukses vullnetit, në fakt arrogancës së tij. Prova? A ka provë më të fortë se 21 janari? Krimi më i rëndë që mund t’i ndodhë një shteti, vrasja nga qeveria e protestuesve të pafajshëm, mbeti pa u ndëshkuar, sepse kryeoligarku i pati të gjitha pushtetet nën hyqmin e tij. Edhe ata që nuk i pati me vete, si Presidentin Topi apo kryeprokuroren Ina Rama, i neutralizoi me shpifje, si këto të sotmet për oligarkinë, mbi gjoja pjesëmarrje në puç. Duke pasur gjithë shtetin nën këmbët e tij (përjashtuar median dhe opozitën politike), duke pasur metastaza të thella në gjyqësor, Berisha dhunoi Kushtetutën duke bllokuar ndalimin e drejtuesve të gardës, zhduku provat e krimit, gëzhojat, regjistrimet e kamerave, shpërfilli ekspertizën e FBI. Këto janë krime që vetëm një oligark ka fuqi t’i bëjë pa u ndëshkuar nga drejtësia e shtetit. Një pushtet që vret dhe nuk ndëshkohet? Po a ka provë më tragjike të një oligarkie diktatoriale se kjo?
***
Dhe oligarku ra me votë plebishitare pikërisht kur arriti apogjeun e oligarkisë, kapjen edhe të kreut të shtetit, duke vendosur në atë post, me vetëm votat e shumicës së thjeshtë në Kuvend, besnikun e tij të devotshëm Bujar Nishani. Ishte një rënie që ka shtruar nevojën e çlirimit të shtetit, të Presidencës, gjyqësorit, prokurorisë nga metastazat e kapjes oligarkike të mbetura edhe pas rënies së oligarkut. Oligarku Berisha ra por nuk ka rënë ende oligarkia e tij në shtet. Dhe është pikërisht përpjekja që po bëhet nga qeveria Rama për ta çliruar shtetin nga oligarkia berishiste që komentohet nga Berisha dhe delfinët e tij Basha e Nishani, si përpjekje për kapjen e institucioneve (drejtësisë apo presidencës) që janë të pavarura aq sa mund të jetë i pavarur Nishani nga Berisha. Çfarë është ironia e gjithë kësaj talljeje që tenton ta fusë përsëri Shqipërinë në rrethin vicioz të një konflikti absurd? Ja çfarë: Oligarkët në opozitë, që për 8 vjet rresht e përdorën pushtetin absolut për të mbrojtur korrupsionin dhe krimet e tyre, ulërasin kundër “oligarkisë” që të rikthejnë në pushtet…oligarkinë!
Top Channel