Kievi akuza Moskës: Forcat ruse depërtuan në rajonin e Sumy-t dhe rrëmbyen rreth 50 civilë Videoja e re, në të cilën shfaqet ekzekutimi i dyshuar i pengut amerikan Steven Sotloff, ka nxitur irritim ndërkombëtar.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se veprimi përbën një “krim të neveritshëm”. Kombet e Bashkuara janë ende duke u përpjekur për të verifikuar videon, por kanë bërë të ditur se vrasja, nëse konfirmohet, do të jetë një “brutalitet i sëmurë”.
Familja e tij njoftoi se kanë hapur dyert e mortit, por me një organizim privat.
Sotloff, gazetar 31-vjeçar, u rrëmbye në Siri në vitin 2013. Ai u shfaq në një tjetër video, muajin e kaluar, ku ekstremistët e Shtetit Islamik (IS) treguan ekzekutimin me prerje koke të gazetarit amerikan James Foleyt.
Një tjetër militant në videon e fundit kërcënoi gjithashtu se do të vrasin pengun e radhës, këtë herë britanik, duke e shfaqur edhe me pamje. Familja e pengut britanik ka kërkuar nga media që të mos bëhet publik emri i tij.
Militanti ka një aksent britanik në të folurën e tij, të ngjashëm me atë që u shfaq edhe në ekzekutimin e James Foleyt.
Kryeministri David Cameron do të kryesojë një takim të komitetit “Cobra” të emergjencës në Britaninë e Madhe, për të diskutuar këtë çështje gjatë së mërkurës.
Pas lajmit të publikimit të videos së dytë, Presidenti amerikan Barack Obama urdhëroi dërgimin e 350 trupave të tjerë në Bagdad për të mbrojtur ambientet diplomatike amerikane.
Shteti Islamik ka pushtuar një pjesë të madhe të territorit në Irak e Siri, duke deklaruar krijimin e një kalifati të ri të drejtuar nga lideri Abu Bakr al-Bagdadi. SHBA-të kanë nisur një fushatë sulmesh ajrore, mbi 120 të tilla, gjatë muajit të kaluar, për të ndihmuar forcat kurde të ndalin avancimin e IS.
Edhe zëvendësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, tha se SHBA-të po punojnë për të përcaktuar autenticitetin e videos.
“Nëse videoja është reale, jemi të shokuar nga ky akt brutal, i cili i merr jetën një tjetër shtetasi amerikan të pafajshëm. Zemrat dhe ndienjat tona janë me familjen Sotloff”.
E pritshme dhe tmerruese, videoja e fundit, për ekspertët ka një domethënie të veçantë. Ajo tregon se sulmet ajrore amerikane, që kanë frenuar disi përparimin e luftëtarëve të ISIS-it në Veri të Irakut, i kanë shkaktuar dëme reale organizatës së dhunshme, duke cënuar planet e saj për ta shtrirë me forcë sundimin e vet edhe në rajonin e Kurdistanit.
Të paaftë t’u përgjigjen avionëve të Amerikës, ISIS përgjigjet me një lloj informacioni frikësues lufte, për të cilin e di mirë që do të tmerrojë njerëzit në Perëndim.
Së dyti, edhe kërcënimi ndaj një pengu britanik po përkthehet si tregues i faktit, që Shteti Islamik nuk bën dallim mes SHBA-ve dhe Britanisë në trajtimin e trye si armiq, edhe pse britanikët nuk kanë marrë pjesë në fushatën ajrore mbështetëse të milicisë kurde.
Top Channel