Kuç, turizëm dhe histori

01/09/2014 00:00

Emisioni “Shqip” këtë sezon nisi aty ku u mbyll të hënën e fundit të muajit korrik; turizmi dhe potenciali turistik i vendit tonë.

Pas Plavës e Gucisë, Razmës, Fishtës, Sarandës e Himarës emisioni me gazetaren Rudina Xhunga u ndal në zonën e njohur edhe si “zemra e Labërisë”, në Kuç.

Pjesë e Malësisë së Vlorës kjo zonë ka çfarë t’u ofrojë vizitorëve në fushën e turizmit, që nga historia, prodhimet krejtësisht bio e deri tek natyra e egër ku dora e njeriut është ndjerë pak ose aspak.

Problemi më i madh i kësaj zone është rruga e lënë në harresë nga qeveritë që kanë pasuar njëra-tjetrës vetëm premtime dhe asgjë konkrete. Sot nevoja për rrugën shtrohet më shumë se kurrë dhe këtë e bën më urgjente edhe ndarja e re territoriale që bashkon Vranishtin me Himarën.

Mungesa e rrugëve e lë jashtë potencialit turistik që ka kjo zonë edhe pse është vetëm pak kilometra larg bregdetit të Himarës.

Situatën e ndryshon ndarja e re territoriale. Të paktën kështu deklaroi Ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi i ftuar në panel.

“Vranishti është një rast tipik për të ilustruar se çfarë dëmi i ka bërë decentralizimi i thellë kësaj zone. Me gjithë këto bukuri dhe burime natyrore dhe njerëzore të vuajë për 15 kilometra rrugë sepse komunat nuk kanë ndërtuar projekte për të lidhur njëra-tjetrën, por vetëm brenda komunës. Kjo do të ndryshojë me ndarjen e re duke i dhënë një tjetër hov zhvillimit kur zona të ketë mundësi të lidhet me bregdetin, me vlorën dhe Himarën”, tha Ministri Çuçi.

Edhe Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjithashtu e ftuar në panel vlerësoi potencialin turistik të zonës, ndërsa kryetari i Komunës së Vranishtit, Simbol Pazaj edhe pse fillimisht është shprehur kundër ndarjes së re që e bashkon Vranishtin me Himarën tha se shpreson që ndarja e re t’i japë më shumë mundësi zonës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA