Nga Fatos Baxhaku – Ndodh fort rrallë, mbase asnjëherë, që një lajm të afrohet kaq shumë me jetën tënde private. Zakonisht, tashmë prej më shumë se 20 vjetësh, ne shkruajmë për emra, fate, histori, vende, duke pasur parasysh një mjedis që ndonëse është i yni, nuk është aq i afërt ta zëmë sa shtëpia, apo lagjja, apo fshati ynë. Kjo shpeshherë, do s’do, na bën disi të ftohtë. Na bën të jemi si një pasqyrë, e cila vetëm reflekton ato që kalojnë para saj. Një imazh shfaqet, ikën, zëvendësohet dhe kaq.
Porse ja ku na ndodhi një tjetër histori. Teksa merresha me grevën më të fundit të urisë, që sot mbush plot një javë, e teksa mundohesha të kuptoja diçka më shumë, përtej atyre që kishin thënë lajmet televizive apo politika, në “Shqip” më zuri syri një portret shumë familjar. Në fillim u hutova. Fotoja e një gruaje të re më shihte nga gazeta gati duke buzëqeshur, sikur donte të më përshëndeste me hare si përherë, aspak sikur të kishte një telash të madh. Kolegët e mi me të drejtë kishin bërë një përshkrim të shkurtër të secilit prej 14 grevistëve të urisë. Nuk më kishin gabuar sytë. Ishte pikërisht ajo: Vera Ndoj-Picaku nga Grykë Oroshi i Mirditës!
Me Verën dhe bashkëshortin e saj, Paulinin nga Perlati, më lidh një miqësi e fortë familjare, prej atyre që mund të lidhësh vetëm me mirditorët. Djali i tyre, ai më i vogli, bën sa e sa herë shaka me mua: O babë! Ka ardhë prap ai xhaxhi me lesh, o babë! Mustaqet e mia në këtë rast ulen edhe më me përulësi përballë së qeshurës së hareshme të picirrukut mirditor.
Vera ka lindur më 1970. Është shkolluar me rezultate fort të mira në fshatin e saj e më pas është diplomuar për agronomi në Universitetin e Kamzës. Vite më pas ka kryer edhe një shkollë tjetër të lartë, me sa di unë, Biologji-Kimi në Shkodër. Ka kryer edhe masterin. Di se ka qenë një ndër më aktivet në lëvizjet studentore të 1990-s dhe se ka punuar deri vonë në Tiranë në zyrat që kontrollojnë cilësinë e ushqimit, deri sa e hoqën nga puna pa ndonjë motivim bindës.
Vera në grevë m’i hoqi të gjitha dëshirat që të merresha me gjëra hijerënda të tipit: A është e stisur greva apo jo? A ishte vërtet mënyra e vetme për të zgjidhur problemin? Si ka reaguar shteti, shtypi, shoqëria deri më tash ndaj saj? Sa gisht ka politika, PD-ja në këtë mes? Të gjitha këto m’u dukën pa kuptim para rikthimit të dhimbjes së saj.
Në fakt, historinë e Verës e kam mësuar pasi jam njohur me familjen e saj. Ajo është e bija e një mësuesi të vjetër, Gjon Mark Ndojt, ish-nxënës i Gjimnazit të Shkodrës dhe njeri i letrave. Gjoni, njeri i afërt i Kapedanit Mark Gjon Marku, bën pjesë tek ata mirditorë që u përfshinë nga vala e urrejtjes që pasoi vrasjen e Bardhok Bibës më 1949. Gjon Mark Ndoj bëri plot 18 vjet burg politik. Një ditë prej ditësh, Vera më lëshoi në dorë bocat e një libri. Ishin kujtimet e saj të fëmijërisë (Fëmijë, apo grua 12 vjeç?, Tiranë, Geer 2013). Aty mësova edhe më shumë për këtë njeri dhe familjen e saj. Një vajzë e vogël, e brishtë, e parë me përçmim si vajza e armikut, dasma të kushërinjve që i shihte nga larg me bark të panginjur, me sy të përlotur dhe me zemër të lënduar, punë të rënda në brigadë bashkë me të rriturit, njësoj si në orizoret e Pol Potit e pastaj urrejtje, urrejtje dhe vetëm urrejtje e mpiksur me përçmim të pashoq. Mirësia, dashuria ishin gjëra fort të rralla, të mbetura vetëm në skajet e ndonjë ledhatimi mbi krye apo në cepat e mekur të ndonjë buzëqeshjeje të fshehtë. Pastaj familja që ndahet më dysh – babai i sëmurë dhe Vera në Orosh, ndërsa nëna me vëllezërit në Milot – për të mundur të rregullojnë sadopak damkën e biografisë. Kështu është rritur Vera, njëra prej 14 grevistëve të urisë.
Unë nuk dua ta besoj se Vera e ka humbur besimin te liria, te demokracia, te solidariteti, te vlerat më të mira njerëzore. Nuk dua ta besoj se atë që nuk e bëri diktatura e paska bërë tash demokracia.
Diku, duke kujtuar një dasmë, në librin e saj ajo shkruan: “…Ditët kalonin dhe vinin çastet e lumtura, në fakt për të tjerët, pasi ne gënjejmë veten, ne jemi të padukshëm, pasi askush nuk na do afër, askush nuk do që edhe ne të gëzojmë, as të kërcejmë, as të këndojmë, deri as të hamë e as të pimë, pra të zhdukemi atje ku të mos na shohë njeri, por a mund të bëhesh i padukshëm, që edhe të jesh pjesë, por të mos shohë askush?”.
E dashur mikja e mirë Vera, nuk e di nëse ti do t’i lexosh këto pak rreshta. Unë e di se e njëjta pyetje, që të mundonte kur ishe e vogël, të gjëmon edhe sot ndër veshë atje, nën çadrën e urisë. Shpeshherë nuk jemi ne që jemi të padukshëm, por kështu u dukemi të tjerëve, të cilët mendojnë se hallet e njeriut të thjeshtë janë për t’u shpërfillur e për të mos u dëgjuar dhe, për ta mbuluar këtë shpërfillje, sajojnë lloj-lloj teorish nga ato që nuk kanë farë kuptimi.
Unë, për fat të keq, nuk ua di historitë personale grevistëve të tjerë, por jam i bindur se secili prej tyre ka plot ngjarje të trishtuara për të rrëfyer. Që të jem fare i qartë, unë vetë nuk jam për asnjë ekstrem në zgjidhjen e problemeve. Nëse ndokush do të më kishte pyetur, do të isha shprehur absolutisht kundër grevës së urisë, sepse besoj ende se edhe në një vend si ky i yni ka hapësira për të zgjidhur gjërat në bazë të së drejtës dhe jo të vetëflijimit. Prej këtij akti do të kemi vetëm njerëz të sëmurë, familje të alarmuara, fëmijë që ngashërehen për prindërit, politikanë që përfitojnë për të ngjitur shkallët në shoun politik dhe problemin që nis edhe një herë nga pika zero.
Meqë politika ose e shpërfill, ose e shfrytëzon këtë protestë të fundit, atëherë duhet të vënë dorën në zemër dhe mendjen në veprim të tjerët. Kishat dhe xhamitë të mos merren me homoseksualët, që nuk i prishin punë askujt. Nuk janë ata që e kanë prishur familjen. Familjen e ka prishur dhe po e prish smira, urrejtja, rendja pas parasë, individualizmi i pafre, kulti i të fortit, ngritja e hajdutllëkut në vlerë morale, zilia, makutëria. A nuk do të ishte më e udhës që një njeri i Perëndisë të ishte bërë ndërkohë ndërmjetës mes grevistëve të urisë dhe qeverisë? Po qindra OJQ anembanë vendit, shoqata për të drejtat e njeriut, aktivistë, çfarë kanë bërë në këtë rast? Apo duan të provojnë edhe një herë që i urituri nuk ka të drejta si të gjithë të tjerët? Kjo punë mbase ka një konotacion të fortë politik, si çdo gjë te ne, porse kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë që kemi mu në hundën tonë, në mes të Tiranës, njerëz që vuajnë. Nëse kanë bërë mirë, apo e kanë gabim, kjo është një çështje krejt tjetër.
Vera Ndoj-Picaku shkruan në librin e saj: “…Nuk e di nëse e keni vënë re kur jeni të mërzitur dhe kur dikush ju përkëdhel, apo ju thotë qoftë edhe një fjalë të ëmbël, ndodh që ngashërehesh dhe të vjen të qash, por në njëfarë mase disi lehtësohesh, por për mua nuk kishte gjëra të tilla…”. Kjo grua ka mbi 30 vjet që pret që të ngashërehet nga një fjalë e mirë. Kaq shumë na kushtoka ne si shoqëri?
Top Channel